Fryma poetike e së dielës me poeten;-Alma BAJA

TË DUA ATDHE…

—————————-

Eh, Atdhe toka ime e shpirtit

gjak i dlirë që më rrjedh venash,

t’a kthyen tokën në treg të hapur

në dyqan ku e ardhmja shitet me copëza interesash…

Institucionet t’i zbrazën nga kuptimi

në propagandë t’a kthyen kujtesën,

flamurin, fjalën, historinë

po t’i përdorin si maskë për veten…

Fjalën e bënë mashtrim

gjuhën t’a zbrazën nga kujtesa,

t’a përdhosën keqas drejtësinë

të dëbuan shumë bij’ nga vetja…

Pa vramendje shkelet buka e tjetrit

dinjiteti, shpresa, e ardhmja e tij,

nën emër, nën titull, nën pushtet

të vodhën – jo veç në pasuri…

Po, u përkulën bijt’ e t’u interesit

strehë egoje – u bë – Atdheu,

ndërgjegjen shkelën me të dy këmbët

me leverdinë u zëvendësua nderi…

Me duar lakmie vazhdojn’ të t’prekin

çdo ditë e më shumë duke t’cunguar,

në strofull grabitçarësh u ktheve

ohhh…Atdheu im i bekuar…

Të privatizuan Atdhe

t’a gërryen pa fije mëshire të ardhmen,

me historinë tënde bëjnë pazar

të vodhën si send, si pronë të zhvatën…

***

Pa zë të dua, Atdhe

kurrë, nuk të pashë si mjet,

si disa që të quajnë shtet

e të përdorin si xhep…

/QendraPress/