Çaste poetike me poetin;-Çerkin BYTYÇI

FANAR NËN PJEGULL
——————————–
Pjegullla plotë rrush
më dhuron përshëndetjen
e gjelbërt në shpirt
posa ulem nën te me mallin e tretur
në vreshtën e dikurshme.
Nga shetia e mendjes
në këtë pushim nën pjegull
mbetet një jehonë e lehtë:
të qeshurat e mllefit tim
pezmi i zërit
që ende del kumbues
dhe disa pika loti mbi letër.
Ndoshta këto, pa dashje,
lënë gjurmë
si një fanar
në kujtesën e atyre që vazhdojnë
t‘shijojnë hijen e pjegullës.
Tek vonë e vërej se në tavolinë
kafeja priste të zgjohej harresa ime.
KOHË E HUTUAR
Nuk e di pse
shpresa e mllefosur
shpesh arratiset
dhe ngarendë e s‘lodhet
pa hartë e busollë
në kërkim të shtigjeve
të reja…
Edhe në erë
e në motin me rrebesh
në vapën përcëlluese
e në t’ujvarës rrjedhë
nuk gjen as strehë
as adresë.
E shpresa vazhdon
e hutuar s‘ndalet
rrugëtimit të pafund;
në pritje mbetemi vetëm ne
n’deshifrim
të mbarimit te fillimit.
E n’shtegun e vetëm
hapi i shpresës,
(ah hapi i shpresës!)
ende n‘vendnumrimin e lodhur
bashkë me shpresimtarët
dhe me kohën e hutuar.
/QendraPress/