Çaste poetike me poeten;-Elida PRIFTI

PAS HESHTJES
—————————
Në dritaren e shpirtit trokiti një rreze,
një ëndërr e vjetër u zgjua përsëri;
hëna mbi terr ndezi një fener të argjendtë,
dhe era në prag solli frymën e lirisë.
Por jashtë mureve bota po dridhet,
me lot të ngrirë nëpër sy të vegjël;
ku buka mungon dhe shpresa venitet,
e nata mbi ëndrra hedh krahët e zinj.
Si mund t’i ngjyros me bukuri fjalët,
kur sytë e fëmijëve kërkojnë veç dritë?
Kur ëndrrat këputen pa prekur qiellin,
dhe dhimbja i numëron ditët pa zë?
E megjithatë, nën gurët e heshtjes,
një filiz çan terrin dhe kërkon dritë;
se dashuria ruan një zjarr të pashuar,
dhe kënga do kthehet — e lirë përsëri.
/QendraPress/