Çaste poetike me poeten;-Drita Rubjeka ZENELI

RUTINË

(Rikthim në respekt të ditëve të heshtjes)

——————————————

Mëngjeseve,

ora zgjohet e para,

dhe unë mendoj se është frymor

në tik-takun e rrahjeve,

e kështu nis e para garën me kohën,

për të mos humbur asnjë çast

nga rrahjet e saj.

Mëngjeseve,

e njejta dritare, e njejta dritë mbi tryezë,

filxhani i kafesë që ftohet ngadalë

dhe duke më pritur,

më duket frymor gjithashtu,

në meditimin e avullt

të ngrohtësisë së aromës.

Jashtë,

të njëjtët njerëz, të njejtët hapa,

të njejtat buzëqeshje e përshëndetje,

i njejti nxitim,

konvergjencë e dëlirë qytetase.

Dhe unë,

si një udhëtar pa hartë,

kthehem përsëri

në të njejtën rrugë,

në rrugën ku mungon

shtresa e kalldrëmit me mozaikë.

Rutinë e pashmangshme,

në portrete dikur të rinj,

tash të shenjuar nga gjurmët e viteve,

me frizura të thinjura,

rutinë që mban mbi supe

një pjesë të moshës,

që prej pavarësisë së rritjes…

Rutinë e njëtrajtshme,

Në çdo mëngjes drejt së njejtës ditë,

Duke ndërruar ngadalë udhëtarin brenda nesh…

/QendraPress/