Fryma poetike e së dielës me poetin;-Naim ÇEJKU

PO KU JENI O SHQIPTARË ?

——————————————

Nji thes me pleshta mbushet ma lehtë

Se dy shqiptarë me i ba bashkë në mendje

Kështu pat thënë Fishta Ati i vërtetë

Që na e njihte shpirtin ndër shekuj e dhimbje.

Armiku na deshi të ndarë e të thyer

Ne e bëjmë vetë ndarjen se ai s’guxoi

Me gishtin nga vëllai, me shpirt të helmuar

Zilia dhe inati ndër breza na pushtoi.

Kur bota bashkohet e ngre monumente

Ne gurët e kalasë ia heqim njëri-tjetrit

Harrojmë se kemi nji gjak e nji rrenjë

Dhe bëhemi pre e mallkimit të vjetër.

O zëri i Fishtës që ushton nga varri

Na shkund nga gjumi, zgjoje këtë komb!

Se pa u bë bashkë, nuk shuhet ky zjarri

Dijeni se fjala e vëllait na vret si nji bombë.

Hapni sytë, o njerëz, sa s’është bërë vonë

Se ndarja të vret, e bashkimi të mban

Nuk ka tjetër tokë që mban emrin tonë

Kur bëhemi bashkë, askush s’na përçan!

Sa shumë qelbësira na ftojnë në ndarje

Në fe, në komunitet e në politikë

Disa tradhtarë na thonë se s’jemi shqiptarë

Ca shajnë e ca lavdojnë me intrigë.

Mbushu me mend, o shqiptar i ngratë

Se me duart e tua veten po e kall!

Kur vëllai për vëllanë mpreh thikën e praptë

Armiku qesh e na shkel mbi varr!

/QendraPress/