Pas aktgjykimit- më pak zhurmë, më shumë shtet, më shumë angazhim/Shkruan;-Shani BERISHA historian.

Pa dashur të hyj në analizën e aktgjykimit të 16 shtatorit, një çështje është bërë urgjente për Kosovën: kompletimi dhe funksionalizimi i institucioneve shtetërore.
Vitet e fundit, bllokimet dhe përplasjet institucionale kanë prodhuar pasoja që tashmë ndihen në shumë segmente të shoqërisë. Ndërsa vendi përballet me këtë realitet të brendshëm, situata globale, gjeopolitike dhe e sigurisë po bëhet gjithnjë më e ndërlikuar. Kosova nuk guxon të mbetet e papërgatitur institucionalisht përballë zhvillimeve që mund të prekin drejtpërdrejt sigurinë dhe interesat e saj shtetërore.
Prandaj, pas një vendimi kaq të rëndësishëm, Kosovës nuk i duhet edhe një valë tjetër e deklaratave të pamatura, analizave pa bazë dhe “ekspertëve” që flasin për gjithçka, pa pasur as përgjegjësi institucionale e as informacionin e plotë.
Kjo nuk ndihmon as Kosovën, e as të dënuarit. Përkundrazi, zhurma e panevojshme mund të krijojë konfuzion dhe t’i bëjë dëm edhe procesit të mëtejmë juridik.
Tash duhet të flasin institucionet, profesionistët dhe argumentet juridike. Pothuajse të gjitha partitë dhe shumë politikanë kanë shprehur gatishmëri për të ndihmuar në procesin e Apelit dhe për mbështetjen e të dënuarve të UÇK-së. Kjo gatishmëri duhet të shndërrohet në veprim konkret.
Kosovës i duhet Kuvend funksional, Qeveri funksionale, Presidencë të plotësuar–institucione që marrin përgjegjësinë e tyre.
Është koha që “të mençurit” e deklaratave pa përgjegjësi t’ua lënë hapësirën profesionistëve dhe institucioneve.
Në një kohë kur bota po kalon nëpër zhvillime të mëdha gjeopolitike dhe të sigurisë, Kosova nuk ka luksin të mbetet e bllokuar dhe e papërgatitur.
Është koha e fundit për ta forcuar shtetin. Më pak zhurmë, më shumë përgjegjësi; më pak protagonizëm personal, më shumë Kosovë./QendraPress/