Arrihet marrëveshja për rifillimin e grumbullimit të mbeturinave në Prizren dhe tri komuna të tjera

Shërbimi i grumbullimit dhe transportimit të mbeturinave në Prizren, Suharekë, Malishevë dhe Rahovec do të rifillojë normalisht, pas arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Ekoregjioni”, Komunës së Prizrenit dhe Kompanisë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK).

Sipas njoftimit të KRM “Ekoregjioni”, marrëveshja ka mundësuar tejkalimin e situatës së krijuar lidhur me deponimin e mbeturinave, duke rikthyer shërbimin në të gjithë territorin ku operon kompania, si në zonat urbane, ashtu edhe në ato rurale.

Kryeshefi ekzekutiv i KRM “Ekoregjioni”, Burim Shala, ka kërkuar ndjesë për shqetësimet e shkaktuara nga ndërprerja e shërbimit, duke falënderuar institucionet dhe palët e përfshira për bashkëpunimin në zgjidhjen e situatës.

“Ju kërkojmë ndjesë të gjithë qytetarëve dhe bizneseve për shqetësimet dhe vështirësitë e shkaktuara nga kjo situatë. Mbetemi të përkushtuar në ofrimin e shërbimeve të rregullta, cilësore dhe në kohë për të gjithë qytetarët”, thuhet në njoftimin e kompanisë.

Shala ka falënderuar kryetarin e Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, nënkryetarin Kujtim Gashi, drejtorin e SHP-së, Islam Ukimeri, si dhe menaxhmentin e KMDK-së për kontributin në zgjidhjen e problemit. Me rifillimin e shërbimit, pritet të normalizohet grumbullimi dhe transportimi i mbeturinave për qytetarët dhe bizneset në katër komunat ku operon KRM “Ekoregjioni”.