Ministri Selimi reagon pas publikimit të dokumenteve që hedhin dritë mbi vrasjen e Ukshin Hotit
Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka reaguar pas publikimit të një dokumentar në emisionin “Udhëve”, në Radio Televizionin e Kosovës, që zbulon dokumente nga Ministra e Punëve të Brendshme e Serbisë, rreth vrasjes dhe torturimit të veprimtarit dhe intelektualit Ukshin Hoti, njofton Insajderi.
Në këto dokumente paraqitet dëshmia e një dëshmitari që tregon se si ishte vrarë e më pas zhdukur trupi i Ukshin Hotit.
“Qeveria e Serbisë, edhe përkundër faktit që ka informacione për fatin e Ukshin Hotit, asnjëherë nuk i ka publikuar ato dhe nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për t’i sjellë të dyshuarit para drejtësisë, siç nuk ka bërë për asnjë krim të kryer gjatë luftës në Kosovë”, ka shkruar Selimi në llogarinë e tij në Facebook.
“Për më tepër, është e papranueshme disbalanca e presionit ndërkombëtar për krime lufte ndaj Kosovës krahasuar me atë ndaj Serbisë dhe që agresori të barazohet me viktimën në tavolinën e dialogut”. “Kosova nuk do të ndalojë së kërkuari drejtësi për Ukshin Hotin dhe të gjithë ata qytetarë të Kosovës, për fatin e të cilëve nuk dihet edhe 21 vjet pas lufte. Nuk do të lejojmë që krimet të mbesin pa u ndëshkuar”, shkruan Selimi