Inovatorit kosovar i mungon mbështetja institucionale
“Kosova ka fatin që ka një popullatë të re dhe mjaft ambicioze dhe kërkuese, mirëpo fatkeqësisht rrethanat përcjellëse si sistemi edukativ, investimi në start-up dhe në inovacion, mbështetja e përgjithshme ende nuk është në nivelin e kënaqshëm”.
Kështu thotë drejtori ekzekutiv i Innovation Center Kosova – ICK, Uranik Begu.
Ai shprehet se kjo qendër e inovacionit mbështet inovatorët e rinj duke shtuar se inovacioni në Kosovë është ende sfiduese.
“Përmes inkubatorit të biznesit, ICK ju ofroibizneseve start–up mundësi që të zhvillojnë idetë e tyre. Ndërmarrësia nuk është e lehtë në asnjë vend të botës, dhe e njëjta vlen edhe në Kosovë”, tha ai.
Sipas Begut, Kosova ka mundësi të shumta drejt zhvillimit të inovacionit, por është buxheti ai i cili po e kufizon atë.
Sipas tij, mbyllja e Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, ka stopuar edhe donatorët ndërkombëtar.
“Me shuarjen e Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, u vështirësua edhe mbështetja e donatorëve ndërkombëtarë. Kosova duhet të zhvillojë ligjet që përkrahin inovacionin dhe ndërmarrësinë, dhe duhet të investojë në fushat prioritare”, tha ai.
Edhe eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu shprehet se në Kosovë nga aspekti politik po eksperimentohet. Sipas tij, shpërndarja e Ministrisë së Inovacionit dhe e Ndërmarresisë nëpër ministri të tjera, më tepër demotivon se sa motivon inovatorët drejt zhvillimit të inovacionit në Kosovë.
Mendim më ndryshe nuk ka as ish-ministri, Musafer Shala i cili thotë se mbyllja e MIN-it, ka qenë gabim për vendin sepse kjo ministri duhet të jetë aktive për t’i shërbyer të rinjve.
“…MIN është një ministri e domosdoshme për të ekzistuar sepse kjo ministri ka qenë shumë e rëndësishme për të rinjtë, natyrisht është bërë një gabim shumë i madh që është ndërpre, tani është nda”, shtoi Shala.
Ndërsa, sipas Begut të ICK-së, edhe qasja në financa dhe lehtësirat tatimore fiskale janë akoma sfidë për bizneset e reja inovative në Kosovë, ndërkohë që thekson se diaspora është shtylla kryesore për të ndihmuar Kosovën në inovacion.
“Kosova ka dëshmuar që ka talent dhe ide, mbështetja nga profesionistet tanë në diasporë ndihmon shumë në zhvillimin e inovacionit kosovar”, përfundon Begu.
Ndryshe, sipas, Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shkalla e punësimit në Kosovë për vitin 2019 ishte 30.1% kurse ajo e papunësisë 25.7%. Ndërsa, më 2018, shkalla e punësimit kishte rezultuar me 28.8% dhe ajo e papunësisë 29.6%.
Ariana Çaka, zyrtare për media nga qendra e komuniteti “BONEVET” ka thënë se kjo qendër është dizajnuar për të stimuluar kuriozitetin, imagjinatën dhe kreativitetin e fëmijëve.
“Fëmijët inkurajohen që të mësojnë përmes lojës dhe teknologjisë, të programojnë robotë, të bëjnë prototipa me 3D printer, të zgjidhin gjëegjëza dhe mistere të ndryshme, të zhvillojnë shkathtësitë e komunikimit, të lexojnë libra dhe të mësojnë gjuhë të huaja”,ka thënë Çaka.
Sipas Çakës, “BONEVET ofron mbështetje për të gjithë fëmijët, përmes projekteve të ndryshme përfitues kanë qenë nxënësit me mundësi më të dobëta ekonomike, dhe nga grupet e margjinalizuara.
Në “BONEVET” çdo fëmijë është krijues.
“Të rinjtë në BONEVET Gjakova në vitin 2017 kanë ndërtuar makinën e parë elektrike në Kosovë, ndërsa vitin e kaluar kanë ndërtuar një veturë të vogël – Electric Buggy, që të jetë i përshtatshëm të kalojë nëpër çarshinë e Gjakovës dhe të mos shkaktojë ndotje të mjedisit”, thotë Çaka.
Ajo i përmend të arriturat e të rinjve gjatë kohës së pandemisë dhe thotë se nga kontributi i tyre personeli shëndetësor përfitoi mburoja për fytyrë – pajisje për mbrojtje nga virusi Corona.
“Nga mbështetja e donatorëve që kemi marrë gjatë pandemisë, ne blemë 43 3D-printerë, pastaj krijuam dhe dhuruam falas mburoja fytyre për gjithë personelin mjekësor në Kosovë. Deri më tani kemi shpërndarë rreth 12.500 copë”, shtoi ajo.
Çaka thekson se mësimi dhe puna në BONEVET gjatë kohës me pandemi është zhvilluar online që ka zgjuar interesim të madh të pjesëmarrësve.
“Aktiviteti ynë gjatë kësaj kohë është zhvilluar tërësisht online, dhe kjo gjë ka pasë përparësitë e veta. Njëra nga to është se çdo fëmijë apo i ri nga Kosova ka mund të bëhet pjesë e klasave dhe kampeve tona online. Numri i përgjithshëm i pjesëmarrësve e kalon shifrën 1.000”, përfundon Çaka.
Kurse, në bazë të një hulumtimi nga Instituti për Ekonomi të Tregut të Lirë, popullsia e re e Kosovës, tatimet e ulëta, pozita qendrore gjeografike, stabiliteti ekonomik, valuta euro si dhe teknologjia moderne janë vetëm disa nga faktorë kyç që po tërheqin investitorët ndërkombëtar drejt tregut në Kosovë.
Drejtori i përgjithshëm në Agjencinë për Pronësi Industriale nga Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë, Nezir Gashi tregoi se kjo ministri deri më tani ka pranuar 2,376 aplikues vendor dhe ndërkombëtarë për patenta nga fusha të ndryshme.
“…Deri më tani në API, kanë aplikuar 2,376 patenta, prej tyre 52 janë aplikime me pronar vendor nga fusha farmaceutike, teknike dhe teknologjike, 97.8% me pronar ndërkombëtar ndërsa 9 patenta me pronar vendor, kryesisht janë në fushën teknike dhe farmaceutike”, ka thënë Gashi.
Sipas Ligjit për Patenta në Kosovë, Nr. 05 L-039, patenta është një e drejtë ligjore ekskluzive e cila ipet për një shpikje. Ndërsa, shpikjet në zhvillimin e inovacionit kosovar mund të jenë zgjidhje të një problemi ose diçka e re për vendin.
Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, insiston që arsimi në Kosovë duhet të shihet si prioritet.
“…Ardhmëria e një shteti nuk varët vetëm nga pasuritë natyrore por edhe nga faktori njëri, andaj edukimi duhet të jetë prioritet i prioriteteve në Kosovë. Një popull i edukuar është arma më e fuqishme e një vendi”, thekson Gërxhaliu .
Ai e përmend edhe ekonominë si faktorin kyç për zhvillimin e arsimit dhe thotë se niveli i arsimit në Kosovë varet direkt nga ekonomia e vendit.
“Në shtetet ku zhvillimi ekonomik nuk është në nivelin e dëshiruar, në veçanti në shtetet e tranzicionit ku përveç korrupsionit, dukurive negative, këto shtete i përkrah edhe shkatërrimi i sistemit të arsimit dhe për fat të keq edhe Kosova është në këtë trend”, tha Gërxhaliu.
Gërxhaliu thotë se inovatorët kosovar nuk mbështeten aq sa duhet nga institucionet shtetërore duke shtuar se antivlera lë nën hije vlerat e talenteve në Kosovë.
“…Është degradua vlera dhe është shfaktorizuar antivlera. Në një shtet ku agjenda politike është dominonte, lë pak hapësirë për zhvillim ekonomik. Të rinjtë tanë më shumë mbështeten nga donatorët e huaj se sa nga vendi i tyre, ata meritojnë një mbështetje shumë më të madhe sepse kanë kreativitet, inovativitet dhe fleksibilitet në punë”, tha ndër të tjerash Gerxhaliu.
Sipas tij, IT-ja, ndërtimtaria, arkitektura dhe robotika si patenta nga kosovarët që jetojnë në Kosovë apo Mërgatë, duhet të mbështeten dhe të promovohen nga institucionet shtetërore.
Ndryshe, sipas Ligjit nga Republika e Kosovës për financim Nr.06. I.49, inovatorët financiarisht mbështetën nga buxheti i Kosovës, donatorët vendor dhe të huaj dhe organizatat apo qendrat qe merren me inovacion.
Ndërsa ish-ministri nga ish-Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Muzafer Shala thotë se Kosovës drejt zhvillimit në inovacion i duhet një buxhet dhe një kuadro e mirë e të rinjve inovator.
“…Janë dy probleme që inovatorët ose të rinjtë ballafaqohen në Kosovë – janë fondet dhe dija më produktive., Pra të jenë në gjendje edhe me gjenerua dijeni dhe këto shkathtësi të rinjtë duhet t’i marrin qysh nga klasa e parë e shkollës fillore”, tha Shala.
Shala përmend edhe sistemin “Science Technology Engineering and Mathematics”, duke u bërë thirrje të rinjve dhe mësimdhansve që të inkuadrohen në këtë sistem për zgjerim të dijenisë përmes teknologjisë në mënyrë që edhe të rinjtë e Kosovës të jenë sa më produktiv dhe më konkurrues me vendet e huaja.
Ndryshe, nga viti 2018, ish MIN kishte ndarë mbi 10 milionë euro për inovacionin në Kosovë: mbi 7 milionë euro ishin ndarë për kategorinë e subvencioneve, transfereve dhe bizneseve ekzistuese start-up kurse të tjerat në krijimin e katër qendrave të inovacionit dhe ndërmarrësisë.
Shala thotë se institucionet kompetente për inovacion nga Qeveria aktuale nuk kanë treguar ndonjë impakt të madh ndaj buxhetit, ndryshe, nuk i mohon keqpërdorimet që mund të ndodhin me buxhetin që ndahet për zhvillimin e inovacionit në Kosovë.
Sipas tij, bizneset e reja start-up duhet të kenë mbështetje edhe nga Kosova jo vetëm nga vendet e huaja.
“Duhet të investohet shumë në biznese të reja, start–up. Ne kemi shumë kompani në Kosovë që punojnë me shtetet e huaja mirëpo duhet t’i ndihmojmë këto kompani me studime qendra inovative dha bashkëpunime me universitete të huaja qofte publike apo private”, tha ai.
Udhëheqësi i Divizionit për Komunikim me Publikun në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, Lulzim Ahmeti shprehet për KosovaLive se Kosova ka ngecur në zhvillimin e inovacionit si shkak i buxhetit të dobët dhe mungesës së promovimit të inovatorëve.
“…Inovacioni si fushë e re dhe mjaft me perspektivë është mjaft sfidues dhe një ndër problemet apo barrierat e këtij sektori janë vështirësitë për qasjen në financa, qasjen në të dhëna, etj. Po ashtu, sfidë është edhe mungesa e promovimit në nivelin e duhur të inovacionit kosovar”, tha Ahmeti nga DKP-ja në MEA.
Më 19 maj 2020 ishte hapur Parku Kosovaro-Gjerman i Inovacionit në Prizren dhe atëbotë ish kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ambasadori gjerman, Christian Heldt, kishin lansuar thirrjet e para për aplikime në bizneset kombëtare dhe ndërkombëtare për ta nxitur zhvillimin ekonomik në Kosovë.
Ahmeti rikujton edhe se për promovimin e fushës së inovacionit kosovar tek ndërkombëtarët, ishte organizuar konferenca “DigjitalKS” me pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës, ku ishte diskutuar për sfidat dhe të mirat që sjell zhvillimi i inovacionit në Kosovë.
KosovaLive është munduar të kontaktojë edhe me Ministrinë e Arsimit rreth temës për zhvillimin e inovacionit në Kosovë, po këta të fundit nuk ishin të qasshëm.
Në Kosovë gjatë periudhës 2018-19, janë ndarë më shumë se një milion euro për bizneset e reja start-up dhe janë përkrahur mbi 200 projekte nga fusha e inovacionit dhe ndërmarrësisë.
“Pra 1,386.538.11 euro janë të ndara për bizneset e reja start-up në vitin 2018 dhe 631,422.20 euro të ndara për bizneset e reja start-up në vitin 2019. Në 2018-n janë përkrahur 160 projekte nga fusha e inovacionit dhe ndërmarrësisë, kurse më 2019-n vetëm 73 projekte nga kjo fushë”, thotë Lulzim Ahmeti i Ministrisë se Ekonomisë dhe Ambientit.