Vrasja me eksploziv e policit në Prizren, të dyshuara gruaja dhe kunata e Iran Badallajt

0

Kanë kaluar shtatë muaj nga dita kur ishte mbytur me eksploziv polici Sami Thaçi në Zhur të Prizrenit. Kjo ngjarje që kishte tronditur Kosovën kishte ndodhur në shtëpinë e Iran Badallajt i cili po kërkohej nga njësiti antidrogë.

Pos Iran Badallajt i dyshuar për këtë rast është edhe miku i tij Arben Gashi.

Prokuroria e Prizrenit tashmë ka intervistuar dhjetëra persona të përfshirë në ngjarjen e 28 janarit. Si të dyshuara në këtë rast janë edhe gruaja e Badallajt dhe motra e saj, të cilat tashmë janë intervistuar nga Prokuroria.

Këtë e konfirmoi edhe prokurori i rastit, Metush Biraj.

“Janë si të dyshuara edhe gruaja dhe kunata e Iran Badalajt të cilat janë intervistuar nga ne, dy persona janë akoma në paraburgim”, tha Biraj për Objektiv.

Biraj thotë se janë duke punuar intensivisht për të finalizuar rastin në fjalë, por sipas tij pengesë ishte edhe pandemia për ta kryer këtë rast më shpejtë.

“Pesë persona janë të dyshuar, dy janë në paraburgim, është situate është e ndjeshme dhe nuk mundet me të dhanë asgjë konkretisht sepse është rast sensitiv Jemi duke punuar intesivisht, por ju e dini për shkak të pandemisë kemi pas telashe, jemi në aktivitet në veprime të vazhdueshme”, shtoi Biraj.

Po ashtu Biraj thotë se pritet që të intervistohet edhe zyrtari policor i Kosovës, Artur Mrasori, i cili tashmë është kthyer në Kosovë pas trajtimit mjekësor në Turqi ku ishte dërguar pas lëndimeve serioze të marra gjatë këtij operacioni policor.

“Do të intervistohet edhe zotëri Mrasori shumë shpejt”, ka përfunduar Biraj.

Ky incident kishte ndodhur në shtëpinë e Iran Badallajt i cili po kërkohej nga njësiti antidrogë. Dyshimet janë se Badallaj kishte montuar eksplozivin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *