MASHT dhe SBASHK’u konfirmojnë se shkollat hapen më 14 shtator
Deri më 14 shtator, do të përfundojnë përgatitjet e nevojshme, në mënyrë që viti i ri shkollor të nis pa vonesa të reja, zotohet Ministria e Arsimit. Mësimi, sipas planeve të prezantuara, do të bëhet me faza të caktuara për të gjitha nivelet e arsimit para universitar.
Përgjithësisht shkollat janë gati për fillimin e vitit të ri shkollor. Kështu tha Ministria e Arsimit ndërmjet një përgjigje me shkrim.
Po ashtu, nga kjo ministri u tha se mësimi do të fillojë në të gjitha nivelet e arsimit para universitarë.
“Është vlerësuar se përgjithësisht shkollat janë të përgatitura përjashtimisht disa shkollave që kanë pasur nevoja plotësuese për fillimin e mësimit, të cilat janë evidentuar dhe punuar me to në përmirësim të kushteve. Vendimi për fillimin e vitit të ri shkollor do të bëhet në faza për të gjitha nivelet e arsimit para universitar, në bashkëpunim të plotë me MSH dhe IKSHPK-në, DKA-të, Këshillin e prindërve dhe sindikatat, në bazë të vlerësimit të situatës epidemiologjike në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e MASHT për RTV Dukagjinin.
Se shkollat dhe mësimdhënësit janë gati për procesin e ri mësimor e tha edhe Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jashari.
“Ne si SBASHK themi se mësimdhënësit janë të gatshëm për fillimin e vitit shkollor duke marrë informacione se janë bërë përgatitje edhe për ata edhe për fëmijët se do të mbrohen nga virusi COVID-19”, ka deklaruar Rrahman Jasharaj.
Ministria e Arsimit po ashtu tha se sa i përket testimit të mësimdhënësve nëse mund të jenë të prekur nga Covid-19, janë bërë të gjitha përgatitjet, dhe që janë në pritje të konfirmimit të listave të mësimdhënësve që do të testohen nga DKA’të për të proceduar më tutje për testim.