KANIONET E OSUMIT
Kanioni i Osumit, është më i madhi në gjithë vendin dhe me të drejtë është emërtuar “Grand Canyon e Shqipërisë”. Gjendet në seksionin Çorovodë – Hambull të luginës së Osumit dhe është rreth 13 km i gjatë, nga 4 deri në 35 m i gjerë, 70-80 m i thellë, me shpatë vertikale, përfund të cilëve rrjedh “lozonjar” lumi i Osumit. Kur udhëton në brendësi të tij mahnitesh nga bukuria befasuese, por edhe nga disa përshtypje të çuditshme dhe të pabesueshme që të krijohen: coprat e qiellit së bashku me pjesë të mureve vertikale të gëlqerorëve gri dhe të bimësisë së blertë pasqyrohen në pellgjet e shumta të lumit, duke krijuar kështu një përzjerje ngjyrash dhe formash të përmbysura, që me fluiditetin e tyre të hutojnë dhe të zhytin në një botë krejt tjetër, ireale si dhe të ngjallin ndjesi të ëmbla, nga të cilat nuk ke dëshirë të dalësh. Në disa sektorë të tij, shfaqen ujëvara të mëdha me bukuri befasuese, sidomos në ditët me diell, rrezet e të cilit zbërthehen nga piklat e ujit, duke formuar ylbere, që fillojnë nga qielli, vazhdojnë në shpatet e kanionit dhe më pas pasqyrohen në pellgjet e ujit dhe në shtratin e lumit. Në këto raste e ke të vështirë të vendosësh kufirin midis tokës dhe qiellit, të shfaqen ndjesi të tjera edhe më të fuqishme, që të ndjekin nga pas edhe kur del prej kanionit. Madje edhe kur je larg tij, ato të ftojnë të kthehesh dhe ta vizitosh përsëri atë. Nga fundi i muajit prill deri në mesin e muajit qershor, në këtë kanion, zhvillohet sezoni i sportit të rafting. Sportistë nga Italia, Anglia, Çekia, Gjermania dhe gjithë bota vijnë për të ushtruar në ujrat e tij, sportin e bukur të raftingut.