ME POETEN:MANUSHAQE HOXHA LAÇI
Para teje jam
Shih në sytë e mi si në pasqyrën e dashurisë
e lumturohu kur yjet të ulen në ballë e qepalla.
Të pres në brigjet e oqeanit të paanë të lumturisë
e mos ngurro ta jetosh realitetin si në andrralla.
Mos u tremb nga kapriçot e kohëve moderne
në valët e ngrohta të zemrës kërko qetësinë.
Jepma dorën të largojmë shtëllungat e reve
e të marrim rrezet e arta të jetës mes kaltërsisë.
Preke dashurinë si fllad mbrëmjeje pas zagushisë
pa u intriguar të kërkosh hirushen si në përrallë
Jam unë princesha që të pret në portën e lumturisë
e mos kërko këpucën në sëndukë e sirtarë.
Mos u josh nga bukuritë e largëta me mistere
e të kërkosh hënën në netët e errëta pa yje.
Me valët e zemrës kap vezullimin para teje
në shpirtin tim merr atë zjarr të pashuar dashurie!
24. 09. 2020