MOS NDALONI NË SECILIN DETAJ… Shkruan;Msc. Lule Alidema, Psikologe klinike

0

              Jeta përbëhet nga detajet, mirëpo janë shumë detaje të vogla brenda jetës tonë që mund të na bëjnë jetën aq të komplikuar sa që po u ndale në secilin detaj vërtetë mund të përbëjnë një problem të madh, që sigurisht do të na pengoj përveç në ritmin e jetës, dhe në mirëfunksionimin normal të mendjes dhe organizmit tonë…

Shpesh detajet e vogla përgjatë një dite kur i tubojmë apo rrjedhimisht tubohen pa dëshirën tonë përkojnë në papërshtatshmëri të planifikimit tonë, që për pasojë përveç dëmeve psikike e organike, dinë dhe të na shmangin nga gëzimi, lumturia, motivimi, vullneti, guximi, dëshirat etj.

Detajet janë pjesë të jetës së njeriut, ndeshemi vazhdimisht me to, gjithsesi nuk mohoj se disa herë një gjë fare e vogël del të jetë apo bëhet me e rëndësishme se diçka e madhe, kuptohet se secila punë e madhe fillimin e ka të vogël!

Asgjë rastësisht nuk ndodhë, por analizo dhe sigurohu se secili detaj mund të ketë një rrjedhshmëri, ose një ndërprerje të një arritje apo botëkuptimi, pra mund të përfitosh ose dhe të dështohesh me dëmtime nga më të ndryshmet.

Andaj pa harruar asnjëherë se një detaj mund të na shpien në gëzime apo përfitime po dhe në dështime e parregullsi që vështirë mund të imagjinohet.

Munden të janë dhe të mbesin të pariparueshme madje mund të bëhen penalizim për rrjedhën e jetës…

Dyshoj se janë disa situata sikur testojnë aftësinë dhe inteligjencën tonë, tolerancën, durimin, vetëkontrollin, kujdesin, qetësinë, etj, mbi gjitha aftësinë tonë se sa ne jemi inteligjent, sa mundemi të organizojmë, për t’ia dalë në drejtimin e jetës tonë!

Sigurisht se tërësia përbëhet nga detajet, mirëpo nëse i ndalemi secilës punë me detaje, apo çdo obligimi që kemi, etj, atëherë me siguri do të jetë e mundimshme për njeriun, madje do na marrë dhe kohën që mund ta shfrytëzojmë për arsye më madhore.

Shpesh detajet janë pengesë për arritje, por me raste mund të kanë dhe një kosto!

Poqëse se nuk shkoi siç mendove, madje e planifikove, nuk do të thotë se duhet brengosur, sepse shpesh dalin rrugës pengesa që na pengojnë dhe nuk na lejojnë të arrijmë në qëllimin e caktuar.

Andaj duhet munduar të dimë të bëjmë dallimin se çka është më e domosdoshme të arrihet, dmth, të zgjedhim atë që është më primare e jo të ndalemi në detaje!

Njeriu e ka aftësinë të bëj një selektim të tillë dhe një organizim se çka për të është primare…

Nëse një problem përpunohet në mendjen tonë shumë herë apo kohë të gjatë duke u analizuar, sigurisht se ajo do të zmadhohet që për pasojë mund të na bllokoj mendjen dhe kohën.

Nëse i lejojmë vetes të ngarkohemi psiqikisht së tepërmi atëherë domosdo do të përfshihemi në stres, ngarkesë psikike të panevojshme, ankth, nervozizëm si dhe humbje të përkohshme të kujtesës.

Imagjinoni kur shpërqendrojmë vëmendjen dhe e ndajmë në shumë punë duke i parashtruar vetes dilema, sikur e bëra, pse nuk bëra, do ta bëjë atë apo këtë etj, sigurisht se përveç që nuk do të arrijmë të bëjmë siç duhet atë që ishim duke bër, do të dëmtojmë veten në aspektin psikik dhe organik.

Mbingarkesa psikike është tejet e dëmshme për njeriun dhe për mirëfunksionim të organizmit!

Atëherë kur kemi mbingarkesë sistemi nervor dhe ai endokrin do të pësojnë ndryshime, disbalancim të funksionimit normal të mendjes dhe trupit.

Andaj jo çdo detaj duhet të ju bezdisë dhe të shihet si problem!

Lëri disa gjëra të ecin natyrshëm, mos u mundo të ndryshosh rrjedhën e çdo detaji, edhe poçëse nuk arrin atë çka mendja juaj thotë, dhe se ishte planifikuar, jepi kohë, ndrysho, dallo, krahaso, etj, sepse jo çdo gjë që planifikohet arrihet secilën herë.

Njeriu nuk e ka fuqinë të funksionoj me kapacitet të njejtë të mendjes, sepse me mendje mund të arrijmë shpejt në përfundime mirëpo jo edhe me veprime!

Këshilla ime: Për të mos u ndeshur me probleme psikologjike dhe organike mos analizo secilin detaj që ju del para, bëje një selektim mes asaj që është e domosdoshme për kohën dhe momentin që gjendeni!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *