Kadri Veseli: Krismat e pushkëve të Afrim Zhitisë e Fahri Fazliut ishin paralajmërim se UÇK do ta sillte lirinë
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka përkujtuar në 31 vjetorin e rëniës heronjtë, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, të cilët u vranë nga forcat serbe pas një luftimi të gjatë.
“Sot bëhen 31 vjet nga lufta heroike e dy shokëve të idealit dhe dy inspiruesve të luftës sonë për liri, heronjve Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia. E mbaj mend të freskët sikur të kishte ndodhur dje, datën 2 nëntor 1989, kur Fahriu dhe Afrimi luftuan për orë të tëra me policinë jugosllave e ranë heroikisht në lagjen “Bregu i Diellit” të Prishtinës”, ka shkruar Veseli.
Kreu i PDK-së, ka shtuar se me punën e tyre Fahriu dhe Afrimi, kanë përgatitur breza veprimtarësh të rinj të kauzës kombëtare ku ishte edhe vet ai.
“Me sakrificën e tyre ata dëshmuan se edhe pas suprimimit të autonomisë, shqiptarët nuk do të dorëzoheshin para terrorit shtetëror. Përkundrazi, Serbia nuk do të ishte e qetë as në qendër të Prishtinës dhe do të merrte si kundërpërgjigje pushkët e lirisë të rinisë shqiptare. Krismat e pushkëve të Fahriut dhe Afrimit ishin paralajmërim i pushkës së vajzave dhe djemve të UÇK-së që do ta sillnin lirinë një dekadë më vonë. Edhe për neve, aktivistëve të rinj ilegalë të asaj kohe, ky akt shërbeu si obligim për të mos u ndalur në rrugën tonë për liri”, theksoi ai.
Veseli është shprehur krenar që ka qenë shok dhe bashkëveprimtar i Fahriut dhe Afrimit.