Aktakuza për Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin, ish-kryeministri Majko: E gjithë kjo stuhi po bëhet për të ndryshuar elitën politike në Kosovë
Pas arrestimit të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, gjykata e Hagës ka publikuar edhe akuzat. Në akuzë thuhet se midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 janë kryer krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit. Sipas akuzës këto krime janë kryer në disa vende në Kosovë si edhe në Kukës dhe Cahan në Shqipërinë Veriore nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës UÇK kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime.
Por çfarë mendon Pandeli Majko, ish-kryeministër i Shqipërisë asokohe?
“Po të ishin të vërteta këto do të ishin bërë shumë dokumentarë deri tani, do të kishte informacione nga shtete partnere, anëtare të NATO-s. Për dijeninë tuaj, gjatë luftës në Shqipëri me kërkesë të qeverisë shqiptare është vendosur edhe një mision i gjykatës së Hagës për të shqyrtuar krimet e luftës dhe ky mision jetonte në vilën e kryeministrit se unë nuk jetoja atje. Ka hetuar dhe ka mbledhur informacion për krimet e luftës që vinin nga pala serbe. Sa i përket insinuatave se krime të tilla janë bërë nga UCK, jo vetëm janë të tepruara, por do të vinte në dyshim prezencën e forcave të NATO-s. Prezenca ndërkombëtare në Shqipëri ka qenë e jashtëzakonshme” tha ai.
Shtëpia e verdhë?
“Nuk ekziston asnjë dokument, që të ketë identifikuar natyra të tilla si ato që janë shkruar sot nga gjykata speciale” tha Majko te Opinion. E gjithë kjo stuhi, Majko thotë se po bëhet për të ndryshuar elitën politike në Kosovë. “Për pozicionin e Shqipërisë dhe luftës janë dokumente, ka dosje të cdo shteti pjesëmarrës dhe arkivat e NATO-s. Kjo është një dramë për të gjithë. Mund të zgjidhej metodë më e ndryshme për të ndryshuar elitën politike të Kosovës. Ky është opinioni im” përfundoi ai.