Deputetët e AAK-së me selame për Vuçiqin pas kërcënimit për luftë: Jemi gati për ta mbrojtur Kosovën

0

Për deklaratën presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili tha se “Serbia po përgatitet ushtarakisht pasi që një konflikt i ngrirë mund të eskalojë papritur, njësoj siç ka ndodhur mes Armenisë dhe Azerbajxhanit” pati reagime të shumta nga politikanët kosovarë që e konsideruan si nxitje për luftë.


Deputetët e AAK-së, Time Kadriaj dhe Gazmend Syla, thanë se nuk e kuptojnë heshtjen e BE-së karshi kësaj deklarate derisa shtuan se Kosova ka edhe mekanizmat e saj mbrojtës, njofton Klan Kosova.

Gjuha shoveniste e Vuçiqit nuk na befason duke pas parasysh se ai ishte bashkëpunëtor i Millosheviqit. Këto fraza nuk na frikësojnë, sepse nuk jemi frikësuar as atëherë kur ua treguam vendin në vitin 98/99. Sot Kosova është vend i pavarur por ka edhe ushtrinë e vet. Destabilizues të rajonit jeni ju e politika juaj. Po më befason heshtja e vendeve të BE-së, karshi këtyre deklaratave. Po të kishte pasur këso lloj deklaratash nga politika kosovare, me siguri tani do na kishin gozhduar me reagime. Standardi i dyfishtë nuk ju bën nder. Këtu jemi për Kosovë e popullin tonë”, shkroi deputetja Kadriaj.

Ndërkaq, Syla shkroi se Vuçiqi s’ka kërcënime sa ka Kosova gatishmëri në mbrojtje të atdheut.

“Humbësi i madh, pasardhësi i Millosheviqit, presidenti i shtetit që nisi të gjitha luftërat në rajon, Aleksandër Vuçiq, na paska kërcënuar me luftë. Le ta di mirë ai se nuk ka mjaftueshëm kërcënime kjo botë sa kemi ne gatishmëri të mbrojmë atdheun tonë”, ka thënë ai.

Ndërkohë, reagim ndaj fjalëve të Vuçiq pati edhe nga kryeministri Avdullah Hoti, i cili u tregua i kujdesshëm dhe përdori gjuhë të butë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *