ZEMËR E ATDHEUT E LIND DASHURINË

Ecim prej fillimit nga rrënjët e moçme

Ku të parët lindshmërinë e kanë bërë

Edhe të vdekur po të binin për toke

Janë ngritur sërish kthyer në legjendë

Kemi ecur shumë që nga zanafilla

Hap pas hapi mbi shekuj ngadhënjyes

Duke ecur drejt nëpër kurthe e intriga

Të hordhive barbare që shkelnin pabesisht

Koha bën të veten hapat i hedh shpejt

Dhe ne ecim bashk me hisen e diellit tonë

Atë që të parët në zemër e kanë gdhend

Zogjtë e shqipes lirshëm qiellit të fluturojnë

Ecim udhës sonë shkelim sigurt në tokë

Të mosgjunjëzuar me drejtëqëndrimin tonë

Me diell e qiell me yje mbi kokë

Ku zemrër e atdheut e lind dashurinë

RANDOBRAVA GRYKË E PUSHKËVE

(Kushtuar Luftëtarëve të Lirisë)

Në Malet e Ujarit e kam shtëpinë

Atje armët pëshpëritnin me zjarr

Trimëria qëndronte në çdo trung

Lisat e degët, objekt lufte u bënë

Armiku dridhej edhe nga gjethet

S’mund ta pushtonte tokën ilire

Mblidhej si retë breshër derdhte

Shpirtin njerëzor për t’ia sfilitur

Liria shpëtimtare bashkoi zemrat

Si bar shërues i freskonte plagët

E trimave që su mposhtën kurrë

Emblemë e UÇK-së, diell në ballë

Lëndina, ara, fusha, kodra e male

U lidhën me njëra-tjetrën, e lugjet

Në Qëndresën e betejave heroike

Randobrava, grykë e pushkëve

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *