PDK thotë se është e gatshme të votojë Projektligjin e Rimëkëmbjes, LDK premton se do të merren parasysh kërkesat
Në mungesë të kuorumit në vendimmarrje në Komisionin për Buxhet dhe Transfere, votimi i Projektligjit për Buxhetin e vitit 2021 dhe raporti me rekomandime për Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike kanë mbetur për një mbledhje tjetër.
Megjithatë është parë një gatishmëri e Partisë Demokratike të Kosovës që të ulet me partitë në pushtet dhe të diskutojnë që Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike të kalojë, e kërkesë të vetme e ka që të përfshihen amendamentet e tyre. LDK premton se do të ulen të diskutojnë për këtë gjë dhe se do të përfshijnë gjithçka që është në harmoni me ligjin.
Në këtë mbledhje të Komisionit, në fillim të diskutimit për këto dy pika, ishte deputeti i LDK-së, Shkëlzen Hajdini, që ka kërkuar që votimi për këto dy pika të shtyhet për një mbledhje tjetër, por nuk ka pasur kuorum për këtë votim.
“Propozoj që dy projektligjet të mos hidhen në votim, të shtyhen për një mbledhje të radhës”, tha ai.
Deputeti i PDK-së, Kujtim Gashi, tha se si parti i bëjnë thirrje qeverisë që të merr parasysh rekomandimet e tyre, e nëse ato merren parasysh ai tha se do ta votojnë Projektligjin për Rimëkëmbje.
“Jemi në një situatë shumë të pa lakmueshme ku ky Projektligj është bërë një problem ditor i gjithë qytetarëve të Kosovës, me theks të veçantë edhe i komunitetit të biznesit dhe shfrytëzoj këtë takim të Komisionit t’i bëj thirrje partive në pushtet, Qeverisë, që pa humbur kohë të ulet bashkë me grupin tonë parlamentar dhe t’i merr parasysh vërejtjet, sugjerimet dhe rekomandimet e Grupit Parlamentar të PDK-së. Në momentin kur ato rekomandime merren parasysh PDK me 24 votat e saj do ta mbështesë Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike”, tha ai.
Deputeti i LDK-së, Fatmir Rexhepi ka shprehur gatishmërinë që të ulen dhe të bisedojnë me partitë opozitare për të gjetur një zgjidhje sa i përket Projektligjit.
Ai ka kritikuar qasjen e kryeministrit Avdullah Hoti sa i përket votimit të këtij Projektligji, për tha se është dashur të bisedojë edhe me anëtarët e Komisionit për Buxhet dhe Transfere.