Aksion i madh për kapjen e mashtruesve nga Kosova të pensionistëve gjermanë
Këtij lajmi, jo vetëm mediat gjermane por edhe ato zvicerane dhe austriake i kanë dhënë publicitet të madh në edicionet e tyre të sotme
Operatorët e disa qendrave të thirrjeve (call center) në Kosovë besohet se kanë mashtruar në shkallë të gjerë qytetarë të moshuar në Gjermani me premtime të rreme për shpërblime të pretenduara lotarie për vite të tëra.
Banda, e cila akuzohet se ka vjedhur miliona euro me mashtrimet e tyre, është kapur në një aksion ndërkombëtar në mes të nëntorit, siç raportohet nga policia e Trier, shkruan Agjencia e Lajmeve e Gjermanisë, DPA. Nëntë të dyshuar, përfshirë këtu dhe “kokat e bandës”, janë arrestuar dhe 13 objekte janë kontrolluar.
Këtij lajmi, jo vetëm mediat gjermane por edhe ato zvicerane dhe austriake i kanë dhënë publicitet të madh në edicionet e tyre të sotme.
Aksionit i kishin paraprirë hetime që kanë zgjatur me muaj, me pjesëmarrjen e hetuesve në Bad Kreuznach, Dresden dhe Bavari si dhe të autoriteteve kosovare, trasnmeton albinfo.ch. Kripo (Policia e krimit) nga Trier-i ishte në krye të aksionit, sepse raportet e viktimave nga ky qytet dhe zona afër Idar-Oberstein kishin shërbyer për fillimin e hetimeve.
Qasja e bandës ishte pothuajse gjithmonë e njëjtë: Sipas hetuesve, ata telefonononin të moshuarit e vetmuar në Gjermani dhe u sugjeronin atyre për një fitim të pretenduar në lotari prej disa qindra mijëra eurosh. Por, në mënyrë që të marrin fitimin e supozuar, viktimat duhej së pari të paguanin një taksë. Kjo bëhej përmes transferimeve jashtë vendit, kuponëve të blerjeve për portale të mëdha në internet ose përmes pranimdorëzimit personal të parave mes kryesve dhe viktimave të tyre.
Policia ka njoftuar se autorët u kishin telefonuar viktimave shumë herë për të krijuar besim. Në disa raste, ata madje kanë shtyrë të dëmtuarit të mbledhin para nga të dëmtuarit tjerë, përcjell albinfo.ch. Në saje të kësaj, banda ka arritur të përvetësojë “para dhe pasuri të mëdha”.
Përveç dëmeve materiale, thirrjet shpesh kishin pasoja psikologjike për viktimat, sipas policisë. Viktima të panumërta janë dëmtuar nga makinacionet e bandës: në rajonin e Trierit, Bad Kreuznach, Pfalz dhe në të gjithë Republikën Federale.
Gjatë hetimit të mëparshëm, tre burra u arrestuan në jug të Rheinland-Pfalzit rreth një vit më parë ndërsa po mblidhnin para. U tha që mbështetësit më pas u arritën përmes hetimeve të mëtejshme.