Kryetari Haskuka i drejtohet qytetarëve rreth shtatoreve
Të dashur qytetarë të Prizrenit, të dashur bashkëkombas shqiptarë kudo që jeni,
I kam lexuar me kujdes shqetësimet që keni ngritur në rrjetet sociale për statujat e vendosura në Prizren.
Më vjen mirë që shqiptarët e duan Prizrenin dhe i duan heronjtë tanë kombëtarë, sepse shqetësimet tuaja janë shenjë e dashurisë. Është më mirë kritika për shkak të dashurisë, se sa heshtja për shkak të moskokëçarjes.
Së pari më lejoni të pohoj: Skënderbeu dhe Adem Jashari tashmë kanë zënë vend në Prizren, dhe ata do të jenë aty përgjithmonë, pavarësisht nëse forma e paraqitjes do të mund t’ i nënshtrohet përmirësimeve, për të arritur nivelin e duhur artistik dhe historik. Është fakt dhe arritje, që në kryeqytetin historik e shpirtëror të projektit kombëtar shqiptar, të shkelin Gjergj Kastrioti dhe Baca Adem.
Së dyti, dëshiroj të sqaroj diçka, sepse kam parë që qarkullojnë informata të gabuara. Sa i përket shtatores së Gjergj Kastriotit, ajo nuk është realizuar me tender e as me para të komunës, prandaj nuk ka asnjë të vërtetë te insinuatat për vjedhje apo për përzgjedhje të artistit realizues. Ajo shtatore është bërë prej shoqatës së diasporës “Trojet e Arbrit”, të cilët kanë përzgjedhur artistin dhe kanë realizuar me mjetet e tyre monumentin dhe të cilët i falënderoj shumë për kontributin e madh. Komuna, sipas marrëveshjes, ka ofruar vendin dhe realizimin e piedestalit, dhe në projekt kemi realizimin e një sheshi, përreth monumentit.
Unë si kryetar i Komunës nuk jam autoriteti që vendos për vlerat artistike e as për ato historike. Por, dëshiroj t’ ju tregoj qytetarëve se ne do të themelojmë një komision për këtë çështje, të përbërë nga profesorë të artit, urbanistikës dhe të historisë, nga Kosova apo nga trojet shqiptare, i cili komision do të ketë për detyrë të sjellë një raport këshillues, se si duhet vepruar me shtatoren, dhe çka duhet të bëjmë me të. Në bazë të atij raporti këshillimor, do të diskutojmë në asamblenë komunale, dhe do të marrim vendim për të vepruar, me transparencë të plotë dhe në përputhje me interesin e treguar prej gjithë publikut mbarëkombëtar. Gjithsesi, po e përsëris, Skënderbeu është në Prizren, dhe do të jetë gjithmonë.
Sa i përket shtatores së Adem Jasharit, ajo nuk është vendosur në pronë publike e as nuk është realizuar si projekt publik. Ajo është vendosur brenda një qendre tregtare dhe është realizuar prej asaj qendre, me miratimin e disa përfaqësuesve të familjes Jashari. Ne jemi njoftuar me veprën vetëm pasi që ajo është vendosur aty, njësoj si gjithë publiku tjetër. Është e vërtetë se në pronë private nuk i takon Komunës që të ndërhyjë, megjithatë, simbolet kombëtare, siç është edhe Adem Jashari, duhet të mbrohen nga shteti edhe për mënyrën e përdorimit në mjediset private. Siç kemi marrë vesh më vonë, ajo statujë do të tërhiqet, me vendim të vetë operatorit privat, dhe shpresojmë që do të zëvendësohet me një statujë më të mirë. Megjithatë, pavarësisht kësaj, më lejoni të lajmëroj publikun e gjerë se Komuna e Prizrenit tashmë i ka ndarë fondet dhe e ka filluar projektin, për të ndërtuar një monument publik, në një hapësirë publike, për komandantin legjendar Adem Jasharin.