A do ta votojnë Trustin? Flasin dy deputetët e VV-së
Partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje është shprehur edhe njëherë kundër projektligjit për Trustin.Këtë e ka bërë të ditur shefja e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, të hënën pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit“Qëndrimi i grupit të VV-së është, se ne nuk e kemi mbështetur tërheqjen nga trusti, sepse konsiderojmë që në aspektin ekonomik do të këtë efekt negativ dhe afatgjatë në ekonomi”, ka thënë ajo. E derisa Kusari-Lila ka thënë se janë kundër, dy deputetë të kësaj partie, të cilët kohëve të fundit kanë dalë me disa qëndrime kundër subjektit të tyre politik, ende nuk kanë vendosur për këtë çështje. Deputetët, Haki Abazi dhe Eman Rrahmani kanë thënë se qëndrimi i tyre do të kuptohet të enjten kur edhe ky projektligj të hidhet në votim në Kuvend.“Nuk kam qëndrim. Deri të enjten nuk kam qëndrim”, ka thënë shkurt AbaziNjëjtë ka deklaruar edhe deputeti Rrahmani.“Të enjten në Kuvend e japim qëndrimin si deputet, pra nuk dua ta bëj publik qëndrimin”, ka deklaruar ai, për Front Online.I pyetur se a do të jetë qëndrimi i tij i njëjtë me atë të partisë, ai është përgjigjur shumë shkurt.“Të enjten në seancë e mësoni”, ka thënë ndër të tjera Rrahmani.Në vitin 2020, pas krizës ekonomike që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për rimëkëmbjen ekonomike, që u ka mundësuar qytetarëve tërheqjen e 10 për qind të shumës së siguruar nga kursimet pensionale, gjatë kohës sa kanë punuar.Procesi i tërheqjes së kësaj përqindjeje nga Trusti ka nisur nga fundi i dhjetorit të vitit 2020 dhe ka zgjatur deri në fillim të prillit të vitit 2021.Sipas të dhënave të Fondit për Kursime Pensionale, asokohe janë tërhequr mbi 198 milionë euro nga 427,371 kontribuues.Depozitat në bankat e Kosovës, gjatë vitit 2021, kanë shënuar rritje prej 11 për qind. Një raport i Institutit GAP, me seli në Prishtinë, ka vlerësuar se në 40 për qind të kësaj rritjeje ka ndikuar tërheqja e kursimeve nga Trusti, të cilat janë deponuar në llogari private, por nuk janë shpenzuar menjëherë.Të dhënat nga Agjencia e Statistikave të Kosovës thonë se norma vjetore e inflacionit, e matur në muajin mars të vitit 2022, në krahasim me marsin e vitit 2021, ka qenë 10 për qind.