“A jetohet me 120 euro pension, s’kam çka të them tjetër gjë”, çmimet në rritje, qytetarët me vështirësi financiare

/Foto nga arkivi/

Rritja e çmimeve të shumë produkteve bëri që familjet në Kosovë, me të njëjtat paga e me rritje të vogël të pensioneve, të mund të blejnë më pak gjëra tani.

Kjo gjendje për shumicën e shtresave në Kosovë po e vështirëson jetesën për të siguruar produktet bazë ushqimore.

Qytetarët thanë për Ekonomia Online se me të njëjtat të ardhura mundësia për blerje është zvogëluar ndjeshëm. Ata ankohen se nuk ka ndonjë dallim blerja në Tregun e Gjelbër me atë në markete.

Maliq Gërbeshi, 85-vjeçar, thotë se pensioni mezi i del për ilaçe dhe se çmimet janë të papërballueshme për shumicën.

“Jemi mësuar me vuajtje, por në pleqëri është shumë më vështirë,” tha ai.

“Pak marr.  Nuk e njoh shumë dallimin, vetëm pak më shtrenjtë sesa që kanë qenë po. Nuk janë të përballueshme, sepse të ardhurat për shumicën e popullsisë janë shumë të dobëta. Pensioni vetëm për blerje ilaçesh dikujt i del dhe dikujt jo. Dhe blej ilaçe shumë, sepse jam 85 vjeçar, por po duhet të përballoj disi. Jemi mësuar prej fillimit me vuajtje, me kiamete dhe tani në pleqëri nga fundi duhet përballuar disi, por nuk është lehtë aspak. Nuk i di raportet e tregut, por kisha preferuar, duke ditur gjendjen e shumicës së popullit, të mundohen sa të munden që çmimet të zvogëlohen për harxhimet e të varfërve që shumë jemi ende”, tha Gërbeshi.

Në të njëjtën linjë është edhe Shefki Tahiri, i cili jeton vetëm me 120 euro pension.

“Nuk ka kushte të mira, blej vetëm çka mundem. Edhe shoqen e kam të sëmurë,” shprehet ai.

“As mirë, as keq. Kushtet janë gjithmonë të dobëta. A jetohet me 120 euro pension. Nuk kam çka të them tjetër gjë. Nuk kam ndihma nga dikush tjetër, blej gjëra brenda mundësive. Edhe shoqen e kam të sëmurë. Kërkoj të bëhet mirë për të gjithë ne dhe për gjithë popullin tonë”, tha Tahiri.

Ndërsa, Zeqir Hoskoviku, kritikon mungesën e ndërhyrjes shtetërore në treg.

 “Çmimet po rriten çdo ditë, askush nuk po i kontrollon. Është shumë shtrenjtë”, thotë ai.

“Çmimet për çdo ditë po luajnë lartë, asnjëherë nuk po ulen. Kur kemi nevojë për të blerë duhet të  blejmë. Ta luajnë çmimin. Është privat, nuk mund t’i thuash pse i kanë rritur. Por, me qenë më lirë është më mirë. Është shumë shtrenjtë, qeveri nuk ka fare”, u shpreh Hoskoviku.

Qytetarët kërkojnë nga institucionet që të ndërmarrin masa për të lehtësuar barrën ekonomike, veçanërisht për shtresat më të ndjeshme të shoqërisë.