“A mundemi me ardhë në Kosovë me dërgu lule te varri i nënës”, vëllai i Liridonës tregon kërkesën e dy djemve të saj
Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Ademajt e cila u vra në vitin e kaluar, ka takuar dy nipërit e tij, të cilët po jetojnë në Suedi. Leonardi derisa ka publikuar një fotografi bashkë me nipërit e tij, ka treguar se ata kanë pasur vetëm një kërkesë që të mund të vijnë në Kosovë dhe të dërgojnë lule te varri i nënës së tyre, Liridonës, transmeton Telegrafi. “Sot i takova nipat Dionin dhe Diarin, fëmijët e Liridonës tonë, pas disa muajsh dhe pas një ngjarje tragjike që do t’i përcjellë tërë jetën. U përqafuam gjatë. Ata e patën vetëm një kërkesë: a mundemi me ardhë në Kosovë me dërgu lule te varri i nenës”, ka shkruar ai.
Tutje, ai ka falënderuar shërbimet sociale në Suedi për kujdesin profesional.
Ndryshe, Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla janë duke qëndruar në paraburgim në Burgun e Sigurisë së Lartë, të tre dyshohen për vrasjen e Liridona Ademajt në Prishtinë.
Masa e paraburgimit u është vazhduar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, ndërkaq Prokuroria është duke vazhduar me hetimet lidhur me vrasjen e Liridona Murselit, ku dyshohet se bashkëshorti i saj, Naim Murseli kishte urdhëruar vrasjen e saj.
Naim Murseli dyshohet se me datë 29 nëntor 2023, ka urdhëruar vrasjen e gruas së tij Liridona Ademaj.
Për vrasjen e Liridona Ademajt ka pasur reagime të shumta, ku edhe u kërkua dënim maksimal për personat që kanë kryer vrasjen.
Liridona Ademaj ka lënë pas vetes dy fëmijë, të cilët janë marrë në mbrojtje nga shteti suedez./Telegrafi/