A po e rrezikojmë identitetin, në mungesë të “Sistemit të Vlerave Nacionale”? – ;Shkruan;Hisen BERISHA, Deputet i PDK-së.
Në një vend ku nuk ka “Sistem të Vlerave Nacionale” të kodifikuar me ligj, antivlerat barazohen me vlerat. Por, për ta bërë zëdhënësin dhe përfaqësuesin e tyre, duhet të jenë persona pa integritet e dinjitet, që udhëhiqen nga doktrina “qëllimi arsyeton mjetin”! Liria e ka emrin UÇK, Adem Jashari, Sali Çeku, Zahir Pajaziti, Agim Ramadani, Sadri Zeneli, e të të gjithë bashkëluftëtarëve të tyre dëshmorë, veteranë invalidë, dhe veteranë. Por, në një shoqëri pa sistem vlerash, liria mund të marrë edhe emra e epitete fyese, siç po i ndodh! Kjo nuk duhet të na dëshpërojë, ngase vlerat janë në sasi kualitative, ndërsa antivlerat janë në sasi kuantitative. E këto forca të dekadencës dhe errësirës urrejtjen ndaj UÇK e kanë detyrë, ndërsa urrejtjen ndaj lirisë e vlerave të saj e kanë qëllim! Dëshpëruese është kur një popull udhëhiqet nga hipokrizia, si mungesë dinjiteti dhe kurajes qytetare, që gjërat të quhen me emrin e vet. Ushtria Çlirimtare e Kosovës, filloi si ndjenjë e rezistencës kundër dhunës e represionit gjenocidial komunist serb, për të kulmuar si guerila më e suksesshme në Botë me çlirimin e Kosovës. Me ketë mision çlirimi vazhduam në Kosovën Lindore si UÇPMB dhe në Maqedoninë e Veriut si Ushtri Çlirimtare Kombëtare. Por nganjëherë, kur e keqja është trend dhe nuk mund të ndalet, apo përballja me të është si përballja me vërshimin e ujit apo zjarre, atëherë të paktën nuk duhet të bëhemi zëdhënës dhe promovues të antivlerave në emër të interesave të ulëta që i kanë njerëz me shpirt dhe mendje të ngushtë. Kosova dhe vlerat e lirisë janë mbi interesat tona individuale e grupore. Kosova është e para!/www.QendraPress.com/