AAK i drejtohet Kushtetueses për votimin e fshehtë në Kuvend, Haradinaj e quan situatën turp dhe dëm për shtetin

AAK i drejtohet Kushtetueses për votimin e fshehtë në Kuvend, Haradinaj e quan situatën turp dhe dëm për shtetin Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, i është drejtuar sot Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e formimit të komisionit për votim të fshehtë në seancën konstituive të Kuvendit.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka quajtur të turpshme dhe të dëmshme për shtetin vonesën në konstituimin e tij.“Loja me moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës, është bërë e turpshme, jo vetëm për deputetët e zgjedhur nga populli, por edhe për vetë Kosovën si shtet,” tha Haradinaj përmes një postimi në rrjete sociale. Ai kritikoi seancat e përsëritura çdo 48 orë pa ndonjë vendim konkret, duke i quajtur “model i papjekurisë sonë shtetërore”.

Sipas Haradinajt, kjo bllokadë po shkakton pasoja të rënda politike dhe ekonomike për vendin.

Ai ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për shkelje të Kushtetutës, duke pretenduar se “ndërrimi i mënyrës së votimit në gjysmë të procesit, me diktat të Vetëvendosjes, është shkelje e rëndë e Kushtetutës”. Në mungesë të një zgjidhjeje institucionale, Haradinaj ka njoftuar se Grupi Parlamentar i AAK-së, me përkrahjen e disa deputetëve nga LDK dhe PDK, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar shkeljet kushtetuese dhe për të gjetur një rrugëdalje nga ky ngërç.

“Deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese, i cili shpresojmë të jetë i shpejtë, kemi kërkuar masë të përkohshme që të ndërpritet shpërfytyrimi i Parlamentit me seancat qesharake e pa asnjë produkt,” ka përfunduar Haradinaj.

 Ndryshe, pas dorëzimit të lëndës, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj ka thënë se lënda është hartuar nga ekspertët e AAK-së. “Ne si AAK i kemi nënshkrimet e deputetëve të AAK-së, LDK-së dhe të PDK-së. E kemi dërguar në Kushtetuese për interpretim të ndryshimit të votimit në mes të procedurave për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Po mendojmë se po zhvlerësohet vlera e Kuvendit, duke mbajtur seanca çdo 48 orë, në seanca ku po shkelet Kushtetuta e Kosovës. E kërkuam që ndoshta të propozohet edhe me masë të përkohshme të seancave, derisa të merret një vendim në lidhje me këtë lëndë”, tha Kadrijaj.

Deputetja Kadrijaj tha se i takon Vetëvendosjes që të bëjë zgjidhje për ngërçin politik që është krijuar.“Është detyrë e tyre ta gjejnë zgjidhjen, jo e opozitës. I takon Vetëvendosjes, i takon t’i sigurojë 61 vota për të zgjedhur kryetarin e parlamentit”, tha Kadrijaj