AAK jep nënshkrimet që të dërgohet në Kushtetuese vendimi për shkarkimin e Valdete Dakës
Deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës do të mbështesin nismën e Partisë Demokratike të Kosovës, për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendim për shkarkimin e kryetares së KQZ-së, Valdete Daka.Zëdhënësi i AAK-së, Lulzim Blakaj në një deklaratë për Telegrafin tha se disa nga deputetët e AAK-së tashmë kanë dhënë nënshkrimet.“Deputetët e AAK-së do të mbështesin nisëm për të dërguar në Kushtetuese vendimin për shkarkimin e Valdete Dakës, disa i kanë dhënë nënshkrimet”, tha shkurtimisht ai.Ndërkaq, kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, gjatë ditës së sotme ka njoftuar se kanë mbledhur nënshkrimet, duke falënderuar kështu deputetët e opozitës për bashkëpunim“Vendimi i presidentes së Kosovës, urdhëruar nga Albin Kurti për të shkarkuar kryetaren e KQZ-së, është antikushtetues, dëmton institucionet demokratike, rrezikon zgjedhjet lokale dhe është fund e krye politik. Për të mbrojtur rendin kushtetues, institucionet demokratike e profesionale, si dhe të parandalojmë secilin akt të tillë në të ardhmen, Partia Demokratike e sheh të domosdoshëm dhe të pashmangshëm opinionin e Gjykatës Kushtetuese, për çka i kemi mbledhur edhe nënshkrimet. Faleminderit të gjithë deputetëve të opozitës për bashkëpunimin në këtë çështje”, ka njoftuar Hoxhaj.Kurse, nga LDK kanë deklaruar se ende nuk i kanë dhënë nënshkrimet e kërkuara nga PDK.“Jo nuk i kemi dhënë ende. Po e presim Avokatin e Popullit”, ka deklaruar shefi i GP të LDK-së, Arben Gashi.Ndryshe, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e kishte shkarkuar Valdete Dakën nga pozita e kryetares së KQZ-së më 15 qershor.Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka pas shkarkimit të saj nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se do t’i ndjekë të gjitha rrugët ligjore për rastin e saj, duke iu drejtuar edhe gjykatës kompetente.Për shkarkimin e Dakës ka pasur reagime të ashpra nga subjektet opozitare dhe organizata të shoqërisë civile