AAK: Kërkesat e policisë të realizohen me urgjencë – Kurti e Sveçla me politika fëmijërore po rrezikojnë sigurinë e vendit
Kryetari i Komisionit për Siguri, Bekë Berisha ka thënë se politikat fëmijërore të kryeministri Albin Kurti dhe ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, po e rrezikojnë sigurinë në vend.“Përderisa më 24 shtator është cenuar rendi kushtetues i Republikës së Kosovës nga një shtet armik siç është Serbia, sot sigurinë e Kosovës po e rrezikojnë politikat fëmijërore të kryeministrit dhe ministrit të dështuar”, ka thënë Berisha në një konferencë të jashtëzakonshme.Ai ka shtuar para gazetarëve se ka dalë në këtë konferencë që të kërkoj që me urgjencë të realizohen kërkesat e Policisë së Kosovës, nga ai që është kadet e deri tek njësia FIT.
“Është e pakapshme për mendjen e një njeriu normal me dalë i pari i Qeverisë edhe ministri përgjegjës me thënë që polici e ka rrogën 2 mijë euro. Kjo është mashtrim dhe rrenë. Kjo tendencë për me degradua policinë është më e keqe se krejt mashtrimet që i kanë bërë deri tani”, tha Berisha.
Deputeti i AAK-së, tutje shtoi se Policia e Kosovës nuk është parti politike, derisa pati edhe kritika për publikimin e fotografive të njësitit FIT në rrjetet sociale duke thënë se ata tashmë janë të rrezikuar.
“Nuk është FIT-i referent në komunë, është njësia që ju u livdojshi. Tu dashtë me marr merita për veprimet e tyre profesionale i keni ekspozua para një rreziku tjetër duke treguar identitetin e tyre, ata tashmë rrezikohen edhe personalisht”, tha ai.
Berisha kërkoj që pozita e opozita të kenë konsensus sa i përket kërkesave të Policisë së Kosovës.
“Për këtë çështje pozita e opozita duhet të kenë konsensus, dhe kërkojmë që me urgjencë me vepru dhe kushtet e policisë të plotësohen”, u shpreh deputeti.
Ai shtoi se kjo qeveri sikurse me policinë njëjtë ka vepruar edhe me SBASHK-un dhe tashmë edhe me minatorët.