AAK-Nisma lidhin koalicion parazgjedhor, ftojnë t’u bashkohen “të gjithë ata që duan t’i japin dinamikë të re vendit”

Këshilli i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) sot ka vendosur për të lidhur koalicion parazgjedhor me Nismën Socialdemokrate.

Në tekstin e deklaratës, të cilin para medieve e nënshkruan krerët e dy partive, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, thuhet se AAK dhe Nisma lidhin marrëveshje koalicioni për zgjedhjet e përgjithshme të radhës 2024-2025, raporton Ekonomia Online.

“Të dyja partitë dakordohen që të krijojnë frontin e përbashkët për shtetin e Kosovës dhe përcaktohen të hapura për zgjerim të koalicionit me të gjitha ato parti politike, nisma qytetare apo shoqata që përfaqësojnë sfera të ndryshme interesi e që për synim kanë ndaljen e degradimit të shtetit, rikthimin e demokracisë si parakusht të një zhvillimi të qëndrueshëm afatgjatë, si dhe integrimin e Kosovës në strukturat euro-atlantike”, thuhet në tekst.

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj tha se diskutimet për këtë koalicion kanë zgjatur disa muaj.

Sipas tij, kanë vlerësuar se qytetarët e Kosovës janë lënë vetëm dhe po luftohen nga ata që do duhej të kishin mbrojtje.

“Kemi parë se qytetari ka mbetur i vetëm e i luftuar nga Qeveria Kurti”, deklaroi kreu i Aleancës.

“Shenjat më të këqija janë veprimet kundër kategorive të luftës, kundër mësimdhënësve, shërbyesve civilë dhe po ashtu projekteve kapitale të vendit. Ne nuk dëshirojmë ta lëmë qytetarin e Kosovës vetëm. Nuk duam të shohim Kosovën duke u zbrazur. Ne që ta ndryshojmë këtë gjendje, kemi vendosur për koalicion”, ka theksuar Haradinaj.

Sipas tij, ky bashkim do të zgjerohet edhe me partnerë të tjerë politikë.

Kreu i Nismës, Fatmir Limaj, tha se ky koalicion është lajm i mirë, sepse sipas tij, Kosova ka nevojë për ndryshim tash më shumë se kurrë.

“Duke dëgjuar e respektuar zërin e mijëra njerëzve, bashkimin në diversitet e iniciativa, Kosova ka nevojë për një opozitë me fakte e angazhim. Ne sot jemi bashkë për koalicion, duke ftuar të gjithë ata që duan t’i japin dinamikë të re vendit”, deklaroi Limaj.

“Mendoj se ky lajm i gëzon të gjithë ata që duan bashkimin që qëllim aksionet e të mirave të vendit e aty të jenë pjesëmarrës të gjithë. Po vijmë fuqishëm për të mbrojtur të gjitha shtresat e pambrojtura”, shtoi Limaj.

“Integrimet evropiane e NATO-ja janë orientimet e Kosovës, si dhe zhvillimi ekonomik. Po vijmë për ndryshim, në të mirë të Kosovës, pasi më shumë se kurrë Kosova ka nevojë për bashkim të tillë”, tha tutje Limaj.

AAK dhe Nisma Socialdemokrate do të garojnë në një listë të përbashkët dhe marrin përsipër që të harmonizojnë platformën politike dhe programin për zgjedhjet e përgjithshme kurdo që ato të mbahen.

“Objektivat politike dhe aspektet teknike të këtij koalicioni specifikohen me një aneks të veçantë që do t’i bashkohet kësaj marrëveshjeje”, përfundon deklarata e përbashkët.