Abazoviq, mandatar i Qeverisë së re në Mal të Zi 

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, propozoi liderin e Lëvizjes Qytetare URA, njëherësh ish-zëvendëskryeministër, Dritan Abazoviq, për mandatar të Qeverisë së 43-të të Malit të Zi.“Përfaqësuesit e Lëvizjes URA dhe partnerët e tyre politikë më kanë bindur pa mëdyshje se kanë shumicë parlamentare për zgjedhjen e Qeverisë së Malit të Zi në Parlamentin e Malit të Zi. I bindur se është në interesin më të mirë të Malit të Zi që sa më shpejt të jetë e mundur Qeveria me kapacitet të plotë, veçanërisht për shkak të sfidave shtesë të sigurisë dhe politike të krijuara nga lufta në Ukrainë dhe reflektimi i saj në stabilitetin e rajonit tonë, pres që Parlamenti të mbajë një seancë dhe të vendosë për programin dhe përbërjën e Qeverisë me propozimin e mandatarit”, thuhet në deklaratën e Gjukanoviqit.Më herët, presidenti Gjukanoviq zhvilloi konsultime me përfaqësuesit e partive parlamentare, të cilave nuk iu përgjigjën partitë e shumicës së mëparshme qeverisëse, Fronti Demokratik pro-Serb (DF), Mali i Zi Demokratik (Demokratët) dhe Partia Popullore Socialiste (SNP).