Abdixhiku: Numrat nga terreni e kanë tmerruar pushtetin
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka dalë me një deklaratë, ku thotë se askush nuk guxon t’i shtyejë zgjedhjet lokale. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Abdixhiku ka thënë se numrat zgjedhor nga terreni e kanë tmerruar pushtetin, prandaj po duan që të shtyejnë datën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale, shkruan Reporteri.net.“Numrat zgjedhor nga terreni, që po i shohim e ndjejmë të gjithë, duket se kanë tmerruar pushtetin e paaftë për të qeverisur mirë. Prandaj dhe flirtojnë me idenë e shtyrjes së zgjedhjeve, si masë e fundit dëshpëruese për parandalimin e rrënimit politik që po i pret. Shtyrja e zgjedhjeve është masë e paprecedentë, jodemokratike e ngufatëse ndaj ushtrimit të vullnetit qytetar – mjetit të vetëm të lirë që ky pushtet s’e kontrollon dot.”, ka shkruar ai.Ndryshe, ai është shprehur se propozimi për shkurtim fushate, i cili mori përkrahje edhe nga partitë tjera opozitare, ende nuk ka marrë përgjigje nga lideri i VV-së, kryeministri Albin Kurti.I pari i LDK-së i ftoi partitë opozitare, shoqërinë civile dhe mediet që ta refuzojnë tendencën e LVV-së për t’i prekur zgjedhjet.“Ftoj të gjitha partitë opozitare, shoqërinë civile, mediet e botën akademike të rreshtohen në një front refuzues ndaj tendencës për të prekur zgjedhjet si themel të demokracisë, nga një pushtet dëshpërues që po teston secilin kufij”, ka shkruar Abdixhiku.Ky reagim i Abdixhikut erdhi pasi mbrëmë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, në emisionin “dPt te Fidani” ka thënë se do të duhej të shtyheshin zgjedhjet lokale.“Kjo nuk varet prej meje [shtyrja e zgjedhjeve] por nëse do të thoja mendimin tim personal unë mendoj që zgjedhjet do të duhej të shtyheshin”, ka deklaruar ai.
Ky është postimi i plotë i Abdixhikut:
Askush s’guxon t’i shtyjë zgjedhjet.
Askush s’guxon ta prekë demokracinë.Numrat zgjedhor nga terreni, që po i shohim e ndjejmë të gjithë, duket se kanë tmerruar pushtetin e paaftë për të qeverisur mirë. Prandaj dhe flirtojnë me idenë e shtyrjes së zgjedhjeve, si masë e fundit dëshpëruese për parandalimin e rrënimit politik që po i pret. Shtyrja e zgjedhjeve është masë e paprecedentë, jodemokratike e ngufatëse ndaj ushtrimit të vullnetit qytetar – mjetit të vetëm të lirë që ky pushtet s’e kontrollon dot.Propozimi im për shkurtim fushate, i përkrahur nga të gjithë përfaqësuesit opozitarë, nuk ka marrë ende përgjigjje nga kryetari i partisë së parë. Këtë arrogancë edhe e pranoj – po i duket vetja i paprekshëm; por prekjen e fundamentit demokratik, të zgjedhjeve, as nuk e pranojmë, as s’e tolerojmë e as s’e durojmë.
KQZ-ja është gati. Gati për organizimin shembullor të ushtrimit të vullnetit qytetar. Zgjedhjet në pandemi, më 14 shkurt e pa asnjë vaksinë, tashmë një herë janë mbajtur; prandaj dhe mund të mbahen sërish. Me masa, me distancë, me mirë organizim. Fushata duhet të shkurtohet e tubimet duhen të zvogëlohen. Por mbi të gjitha Qeveria duhet të punojë në detyrën e vetme që ka, luftimin e pandemisë. Tendenca destabilizuese në vend është luks tani.
Ftoj të gjitha partitë opozitare, shoqërinë civile, mediet e botën akademike të rreshtohen në një front refuzues ndaj tendencës për të prekur zgjedhjet si themel të demokracisë, nga një pushtet dëshpërues që po teston secilin kufij.