Abdixhiku uron qytetarët për Kurban Bajram: T’i gëzojmë të mirat e të ndajmë hallet
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit. Abdixhiku në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se kjo festë, kaq e rëndësishme për besimtarët myslimanë, është sinonim i sakrificës, devotshmërisë dhe mirënjohjes për Zotin.
Lexoni të plotë urimin:
“Besimtarë myslimanë,
Me fat Bajramin!
Kjo festë, kaq e rëndësishme për besimtarët myslimanë, është sinonim i sakrificës, devotshmërisë dhe mirënjohjes për Zotin. Ajo na mëson ndjenjën e mirëkuptimit, dashurisë e respektit për njëri tjetrin. Na mëson përkushtimin ndaj familjes e na rikujton se sa e rëndësishme është dhembshuria e kujdesi për njerëzit në nevojë.Këto vlera, kaq njerëzore, uroj të udhëheqin shoqërinë tonë gjithmonë.Fatkeqësisht, edhe këtë vit – sërish – besimtarët myslimanë e kanë të pamundur të kryejnë pelegrinazhin e Haxhit. Fatkeqësisht, edhe këtë vit, jo pak bashkëqytetarë tanë përballen me vështirësi. Shpresoj, gjithsesi, se përkundër të gjithave, në frymën e traditës sonë fetare, ne do të mbesim afër familjarëve, miqve e nevojtarëve. Të gëzojmë të mirat e të ndajmë hallet. Sepse begatitë e solidaritetit mbesin virtytet tona më të veçanta.