Admir Shala jep dorëheqje nga pozita e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala pesë muaj para përfundimit të mandatit, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë për shkaqe personale e shëndetësore, por përkundër kësaj, ai ka kërkuar të vazhdojë të shërbejë si prokuror në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.
Dorëheqjen e tij nga kjo pozitë, Shala e ka bërë përmes dokumentit të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, që mban datën 5 gusht 2024 drejtuar kryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Ardian Hajdaraj.
Gjithashtu, dorëheqjen e Shalës e ka konfirmuar edhe Hajdaraj, i cili në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi” ka thënë shkurt: “Po, ka ofruar dorëheqjen nga pozita e kryeprokurorit”.
“Në bazë te Rregullores në fuqi për emërimin e Kryeprokurorëve, saktësisht në bazë të Rregullores Nr.04/2023 për Plotësim Ndryshimin e Rregullores Nr.06/2019 për Emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve të Prokurorive të Republikës së Kosovës, të miratuar më datë 27 korrik 2023, në nenin 7, paragrafi 1, pika 1.1, të kësaj rregullore paraqes dorëheqje nga mandati i kryeprokurorit te Prokurorisë Themelore në Prizren, për arsye personale dhe shëndetësore”, citohet të ketë thënë Shala në dokumentin e dorëheqjes.
Shala në dokument thekson se pas 7 vite e 7 muaj në këtë pozitë, nuk ka qenë e lehtë të ofrojë dorëheqjen.
“Megjithatë, pavarësisht se nuk ka qenë e lehtë për mua që pas 7 viteve e 7 muajve si Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore ne Prizren, me gjithë kontributin tim profesional në sistemin prokurorial, pesë muaj para përfundimit të mandatit të rregullt të paraqes dorëheqje”, është shprehur Shala tutje në këtë dokument.
Ndërkaq, duke u thirrur në Rregulloren në fuqi për emërimin e Kryeprokurorëve përmes këtij dokumenti, ai ka deklaruar se pas dorëheqjes nga mandati i kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren do të rikthehet në Prokurorinë ku ka shërbyer si prokuror, përkatësisht në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).
“Në bazë të Rregullores në fuqi për emërimin e Kryeprokuroreve, saktësisht në bazë të Rregullores Nr.04/2023 për Plotësim Ndryshimin e Rregullores Nr:06/2019 për Emërimin e Kryeprokurorit te Shtetit dhe Kryeprokurorëve të Prokurorive të Republikës së Kosovës, të miratuar më datë 27 korrik 2023, në nenin 7, paragrafi 3, të kësaj rregullore parashihet si në vijim: “Kryeprokurori i Shtetit dhe Zëvendësi i tij, Kryeprokurori dhe Zëvendësi i tij dhe Udhëheqësi i Departamentit do të vazhdojnë punën pas përfundimit të mandatit në pozitën e prokurorit në prokurorinë ku kanë shërbyer si prokuror apo si Kryeprokuror, respektivisht pas përfundimit të mandatit të Kryeprokurorit të Shtetit do të vazhdoj punën si prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit”, deklarohem se pas dorëheqjes nga mandati i kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, të rikthehem në prokurorinë ku kam shërbyer si prokuror, përkatësisht në Prokurorinë Speciale”, citohet të ketë thënë Shala në këtë dokument.
Në këtë dokument drejtuar anëtarëve të KPK-së, Shala ka shprehur edhe keqardhje për debatin siç e ka quajtur ai të panevojshëm dhe të paarsyeshëm, i cili ishte krijuar në takimin e 251-të të KPK-së, ku i njëjti kishte paraqitur edhe kërkesën për tu përcaktuar pas përfundimit të mandatit si kryeprokuror. Kjo kërkesë në atë takim është trajtuar dhe diskutuar me shumë polemika mes anëtarëve të Këshillit, ku fillimisht iu miratua kërkesa që pas përfundimit të mandatit si kryeprokuror të kthehet si prokuror në PSRK, e më pas u tha se nuk kaloi në mungesë kuorumi.
“Betimi për Drejtësi”, ka tentuar të marrë një qëndrim nga prokurori Shala, por i njëjti deri në publikimin e këtij raporti nuk është përgjigjur.
Ndryshe, prokurori Admir Shala më 1 janar 2017 kishte filluar të ushtrojë pozitën e tij si Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prizren, për tu rizgjedhur edhe për një mandat tjetër më 26 dhjetor 2020. Në kohën kur ishte zgjedhur Kryeprokuror i kësaj Prokurorie i njëjti kishte qenë duke shërbyer si prokuror në PSRK.