Pse adoleshenca është mosha e rrezikut? Adoleshentët ndërmarrin më shumë sjellje riskuese se çdo grup-moshë tjetër (duke përfshirë përdorimin e substancave narkotike, alkoolit dhe sjellje riskuese seksuale).



Brengat e prindërve për fëmijët e tyre janë të arsyeshme dhe sidomos kur ata kanë fëmijë të moshës së adoleshencës.  Të gjithë prindërit e dëshirojnë më të mirën për fëmijët e tyre.
Por, shtrohet pyetja: a veprojnë mirë prindërit duke u përpjekur që të “mbrojnë” fëmijët e tyre? Duhet kujdes i madh në veprimet e prindërve sepse ata shpesh pa dashje, duke u munduar që të bëjnë mirë me veprimet e tyre sjellin të kundërtën. 

Prindërit janë ata që duhet të jenë të  vetëdijshëm se fëmiju i tyre është e një gjenerate të atillë që sikur edhe fëmijët e tjerë e kanë të domosdoshme të jenë në hap me kohën dhe me bashkëmoshatarët tjerë, sepse kohërat kanë ndryshuar dhe në ditët e sotit fëmijët  kanë më shumë informacion, janë më të “guximshëm”, nëse do të mund të thoshim “pjeken” para kohe.  Kjo sepse ata janë shumë të informuar për gjithçka që ndodhë në shoqëri. Ata janë të ekspozuar çdo orë dhe ditë ndaj  asaj që ndodhë dhe është shumë e vështirë të mos ndikohen.  

– Gjatë adoleshencës rritet interesi për marrëdhëniet me bashkëmoshatarët duke rritur edhe influencën që ka kjo grupmoshë. Studimet imazherike të trurit tregojnë disa zona të ndryshme të trurit që i bëjnë adoleshentët më sensitivë ndaj shpërblimit /vëmendjes së bashkëmoshatarëve të tyre se sa ndaj të rriturve. Kjo i motivon adoleshentët të fokusohen tek bashkëmoshatarët e tyre kur duhet të marrin vendime në situata që përfshin sjellje riskuese.

-Adoleshentët janë më të stresuar se të rriturit kur përjashtohen nga grupi i bashkëmoshatarëve. –Zona e trurit (PFC) që është e rëndësishme për të ndihmuar individët të përballojnë vlerësimet negative të bashkëmoshatarëve duke reduktuar stresin, tek adoleshentët kjo zonë e trurit është akoma duke u zhvilluar , pra ata nuk mund ta përdorin me efikasitet. – Kjo ka mundësi të kontribuojë në përfshirjen e tyre në sjellje riskuese në mënyrë që ata të parandalojnë përjashtimin nga grupi i tyre i bashkëmoshatarëve.
-Një zonë tjetër e trurit (korteksi prefrontal lateral), është një zonë përgjegjëse për vetërregullimin e maturuar, dhe kjo zonë e trurit zhvillohet gjatë adoleshencës.


 Pse adoleshentët janë rebelë?

Rebelimi i adoleshentëve është një stad ku ata kanë një nevojë të izolojnë/veçojnë veten nga prindërit, në mënyrë që të arrijnë të ndërtojnë identitetin e tyre autonom. Rebelimi i adoleshentëve është një pjesë e proçesit të rritjes te adoleshentët e shëndetshëm. Por kjo është një pjesë e vështirë për prindërit dhe mësuesit që mundohen ti instruktojnë drejt të mirës dhe shpjegimi të gabimit.




Rebelimi i adoleshentëve klasifikohet në dy tipe:

1. Rebelim i shëndetshëm: që i ndihmon adoleshentët të rrisin përgjegjshmërinë dhe pamvarësinë.

2. Rebelim i pashëndetshëm: i cili mund të qojë drejt problemeve serioze, si marrja e rreziqeve ekstreme dhe sjellje vetë shkatërruese.
Shkaqet e rebelimit janë të ndryshme:

Stili i prindërimit: – Prindërit (shumë prindër i trajtojnë fëmijët e tyre adoleshentë si bebe). Ata përpiqen ti kontrollojnë fëmijët më shumë se çfarë është e nevojshme. Kjo i bën adoleshentët të mendojnë që ata nuk mund ta dizenjojnë dot jetën e tyre. Si rezultat, kur fëmijët fillojnë të ndërmarrin sjellje riskuese, ulet komunikimi me prindërit sepse ata nuk duan të ndjekin udhëzimet e tyre duke mos diskutuar më me ato. Konfliktet prind-fëmijë dhe mungesa e komunikimit në familje shkakton mos-besim. Prindërit e kanë të vështirë të kuptojnë se çfarë po mendojnë fëmijët e tyre, dhe adoleshentët keqkuptojnë përkujdesjen e prindërve.
Kjo nuk është pyetje aspak e lehtë.  Secili fëmijë ka karakterin, personalitetin  dhe rrethin e tij shoqëror. Dhe me secilin duhet punë e veçantë. Nuk është e drejtë dhe nuk jep rezultate të mira e të dëshiruara kur prindi e privon fëmijën nga gjëra që janë të kohës, që i bëjnë të gjithë moshatarët e tij, kur e kontrollon fëmijën etj. Kjo përkundrazi do të nxitë fëmijën që të provojë “gjërat e ndaluara” dhe pastaj kur kjo ndodhë fshehtas, mund të jetë edhe e pakontrolluar dhe e dëmshme. Edukimi i fëmijës është shumë i rëndësishëm dhe fillon që në moshë të re.

Problemet ambjentale (familje –shkollë) :  -Kur fëmijët ndihen të zemëruar me prindërit, sillen me një kokëfortësi ndaj tyre. Në shkollë: – një ambient i keq, jo komod dhe i përshtatshëm mund t’i detyrojë fëmijët të rebelojnë, sepse rebelimi vjen nga konfrontimi me grupin e bashkëmoshatarëve, dhe për fëmijët me një vetëvlerësim të ulët ky impuls është shumë intensiv.


Çfarë ndodh me psikën e adoleshentit?

Në adoleshencë ndodhin ndryshime në disa fusha:

-Zhvillimi fizik: Ndryshime biologjike (djem-vajza) që i bën ata të aftë për të pasur fëmijë

-Zhvillimi intelektual: Adoleshentët e përceptojnë botën rreth tyre në terma konkretë- gjërat janë ose të drejta ose të gabuara/ të kënaqshme ose të këqia. Ata rrallë e hedhin shikimin më larg se e tashmja gjë që shpjegon paaftësinë e tyre për të marrë në konsideratë pasojat e veprimeve të tyre për një kohë më afatgjatë. Duke qenë pa një eksperiencë jetësore, ata veprojnë pa menduar.

-Zhvillimi emocional: Adoleshentët kanë konflikte rreth largimit nga siguria e shtëpisë edhe pse kërkonë pamvarësi dhe duan të shkëputen nga prindërit. Ata duket sikur luajnë ping-pong midis kërkimit të vëmendjes nga prindërit dhe më pas për ti shtyrë përsëri larg vetes.

-Zhvillimi social : Deri më tani jeta e fëmijës është zhvilluar rreth familjes. Adoleshenca ka efektin e një guri që hidhet në një ujë të qetë, ku hedhja e gurit formon rrathë që fillojnë të shpërndahen (shoqëri me të njëjtin seks, shoqëri me seksin e kundërt, grupe të ndryshme shoqërore, ose të rritur të tjerë si një mësues apo trajner i preferuar).




Pra është shumë e rëndësishme që prindi fëmijut ti mesoj që ai/ajo të dijë të vendos për veten e vet, sepse nese prindërit vendosin ti kontrollojnë deri në një kohë  sigurisht që dikur nuk do të jenë në gjendje ti kontrollojnë më. Synimi është që fëmija të rritet dhe të aftësohet që të dalloj të mirën nga e keqja dhe jo të jetë i kontrolluar, t’i ndalohen gjërat
Duke marrë në konsideratë të gjitha pikat më sipër dhe duke kuptuar tranzicionin që kalon kjo grupmoshë, prindërit mund ti ndihmojnë fëmijët e tyre duke i aktivizuar në sporte apo aktivitete të tjera fizike dhe kulturore, në mënyrë që energjia e tyre të orientohet drejt aktiviteteve produktive dhe të shëndetshme, duke mos lënë hapësirë për sjellje apo veprime dëmtuese. Këto aktivitete do të siguronin një grup tjetër shoqëror (mqs shoqëria në këtë moshë ka një pushtet në veprime dhe mendime mbi atë të prindërve) me objektiva dhe qëllime të përbashkëta drejt përmirësimit të vetës dhe jetës së tyre. KUJTONI: MREKULLIRAT NUK NDODHIN MBRENDA NATES DHE NUK KA NJË FORMULË MAGJIKE, SEPSE TË GJITHË PRINDËRIT DHE ADOLESHENTËT JANË TË NDRYSHËM, POR BESONI NË FUQINË TUAJ!

FJOLLA IBRAHIMI STARABAJA-PSIKOLOGE KLINIKE

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *