Afaristi Kelmendi parashikon një rënie ekonomike prej më shumë se 8 për qind

0

Biznesmeni i njohur Ramiz Kelmendi parashikon një rënie të ndjeshme ekonomike. Ai thotë se tkurrja do të jetë më shumë se 8 për qind.

Ish-deputeti Kelmendi ka thënë se viti 2020 nuk ishte vit i suksesit, por vit i mbijetesës si pasojë e sëmundjes COVID-19.

Ai po fajëson institucionet e shtetit që nuk kanë vepruar për të sanuar dëmet e pandemisë.

“Rënia ekonomike ka me qenë shumë më e madhe sesa që është paralajmëruar. Rënia ekonomike në shtetin e Kosovës korrespondon me rënien ekonomike të shumë veprimtarive për të cilën sigurisht që do të atakohet. Mbështetja institucionale ka munguar dhe gjithmonë është edhe e vonshme. Në këtë rast edhe parlamenti është dashur të mblidhet më parë sa është efekti ekonomik i pandemisë dhe veprimet institucionale. Kështu që të paraprihet, e jo pastaj të ndodhë e të sanohet. Sanimi është masë e vonshme. Paraprija është masë e hershme dhe e domosdoshme. Hezitimi që masat të ndërmerren, edhe ajo është e keqe, duke menduar se pandemia të tërhiqet vetvetiu. Një kohë ishte menduar se me ardhjen e verës sipas ekspertëve virusi zhduket, realisht në verë virusi u shtua”, thotë ai.

Pronari i kompanisë “Elkos Group”, Ramiz Kelmendi ka thënë në një intervistë për KosovaPress se pandemia COVID-19 ka pasur efekt negativ edhe në kompaninë e tij.

“Sfidat janë të shumëfishta për arsye se edhe Grupi Elkos ka veprimtari të ndryshme, të shumëllojshme, që në disa ka pasur efekt më të madh pandemia, në disa ka pasur efekt më të vogël, ndërsa në disa nuk ka pasur për aq sa është pritur. Por, si mesatare del që ka pasur efekt. Sa herë që ka sfida të tilla ne vijmë përpara problemeve të ndryshme, për arsye se kemi një numër të madh të të punësuarve në të gjitha këto lëmi. Qëllimi ynë është gjithë duke shpresuar që kjo pandemi të kryhet sa më shpejt dhe njëkohësisht edhe institucionet shtetërore të fillojnë dhe të veprojnë që të sanojnë sado pak këtë ndikim në mënyrë që mos të pësojnë të punësuarit me vende pune dhe me të ardhura personale”, thekson Kelmendi.

Ai po thotë se investimet e parapara për vitin që lamë pas ishin të cunguara për shkak të pandemisë. Teksa tregon se investimet që ishin paraparë rreth 30 milionë euro kanë nisur së voni, në fund të vitit të kaluar.

“Investimet tona kanë qenë të cunguara, edhe pse kemi pasur mjete të alokuara nga institucionet bankare. Ka ekzistuar një masë e investimit të heshtur dhe duke parë çka po ndodhë. Masat institucionale janë bazë që investimet të vijojnë si duhet. Nëse rritet numri i infektimeve në masën e madhe dhe pastaj bëhet ndonjë mbyllje totale, me kohe të gjatë mund të rrezikohet veprimtaria dhe të ardhurat e punëtorëve. Kjo tregon që ne edhe nga investimet e lejuara që kanë qenë diku 20-30 milionë, ne kemi filluar vetëm tash nga fundi i vitit të angazhohemi për arsye se veç po shihet një dritë e përfundimit të kësaj pandemie, jo nga masat e marra, por nga vaksina. Shpresojmë që vaksinimi i qytetarëve në Kosovë të përfundojë në mars ose prill”, thekson ai.

Përkundër që PDK-ja kishte propozuar heqjen e TVSH-së si pjesë të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, Kelmendi i cili i përket kësaj partie thotë se ky amendament nuk parasheh heqjen e TVSH-së për produktet e lëndës së parë brenda vendit.

“Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike e kam lexuar me kujdes. Është një Ligj që po flitet për TVSH-në, i cili fare nuk afekton në rimëkëmbje. Prandaj, e kisha ftuar edhe qeverinë meqenëse jemi tash në prag të fund-vitit dhe jemi në prag të aprovimit të buxhetit që të analizojnë mos është shkruar gabimisht nga ajo që është menduar. Mendoj dhe shpresoj që të menduarit e mirë institucional dhe profesional (këtë ide nga opozita), të analizojë për arsye se ky ligj nuk do të arrijë fare efektin për të cilin është menduar”, thotë Kelmendi.

Ish-deputeti po ashtu po thotë se vazhdon të jetë një ndër biznesmenët më të suksesshëm në Kosovë, siç thotë është i arsimuar, posedon përvojën profesionale dhe politike.

“Unë kam qenë edhe në institucione, pastaj kam edhe biznese të shumëfishta praktike të suksesshme. Ka edhe shumë biznese të tjera që janë të suksesshëm, ku në mesin e tyre jam edhe unë, por, përvoja ime praktike dhe teorike dhe profesionale shumë vjeçare. Nga 42 vjet përvojë pune që i kam, duke mos dështuar asnjë herë, gjithmonë jam burim i informatave kualitative. Nuk jam burim i informatave për të përfituar unë apo kompania ime. Asnjëherë nuk kam hyrë në institucione (pozitë në pushtet) dhe nuk kam përfituar fare nga institucionet, por qëllimi ka qenë që të kontribuoj. Nuk hezitoj. Ka shumë ekspertë dhe të partive në pushtet të cilët më ftojnë dhe më konsultojnë, ku shpeshherë vendimet e institucioneve bazohen në shpjegimet dhe në përvojën që kam për të gjitha veprimtaritë. Nuk e them që jam i gjithanshëm, por mund t’iu them që të gjitha sugjerimet e mia janë të gjithë dobishme. Për arsye se çdo informacioni imi ka bazën edhe të arsimit të lartë, edhe të përvojës së suksesshme profesionale dhe asaj politike”, thotë ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *