Afër 2 mijë raste të reja me Covid-19, MSH apelon te qytetarët  

                        Ministria e Shëndetësisë ka apeluar tek qytetarët që me qëllim të mbrojtjes, shmangies së formave të rënda të sëmundjes dhe parandalimit të vdekjeve, të vaksinohen.MSH po ashtu ka treguar se numri i pacientëve që janë duke u trajtuar për Covid-19 është 92, numër i cili mund të rritet.Nga ministria shtohet se vaksina mbetet arma kryesore e mbrojtjes kundër Covid-19.

Postimi i plotë:

Qytetarë të nderuar,

Në 24 orët e fundit në vendin tonë janë regjistruar 1853 raste të COVID-19.Në QKUK dhe në spitalet e përgjithshme të vendit numri i pacientëve që janë duke u trajtuar për COVID-19 është 92, në mesin e të cilëve edhe të pa vaksinuar. Ky numër mund të rritet dhe të shkaktojë ngarkesë shtesë për spitalet, profesionistët tonë shëndetësor dhe për më tepër edhe humbje të jetëve të njerëzve tonë.Me qëllim të mbrojtjes, shmangies së formave të rënda të sëmundjes dhe parandalimit të vdekjeve ju lusim që të vaksinoheni, me dozën që ju e keni në radhë, sipas ecurisë së vaksinimit tuaj. Vaksina mbetet sot arma kryesore, jo vetëm në Kosovë, e mbrojtjes kundër COVID-19, prandaj, ju lusim që t’i përgjigjeni pozitivisht thirrjes për vaksinim, për vete, për prindërit dhe fëmijët tuaj dhe për një shoqëri të shëndetshme. #Vaksinohu