Afër 2 milionë Euro të hyra në biznesin e Martin Berishajt ku u derdhën paratë e GEN-I nga Beogradi
Afër dy milionë Euro kanë hyrë në xhirollogaritë e “MB Consulting”, biznesin e Martin Berishajt në Mal të Zi, në më pak se 5 vite – nga fundi i vitit 2016 deri në vitin 2020. Ndonëse u themelua nga gjysma e dhjetorit të vitit 2016, biznesi në Mal të Zi i ambasadorit të Kosovës në Kroaci në të njëjtin vit rezulton se ka qarkulluar rreth 100 mijë Euro të hyra, derisa viti më i begatshëm për “MB Consulting” me Martin Berishajn të vetmin pronar dhe të vetmin të punësuar, rezulton të jetë viti 2017 kur biznesi i tij regjistroi rreth 1 milionë Euro të hyra. Mbi gjysmë milioni të parave të derdhura në xhirollogaritë e këtij biznesi, sipas një raportimi në Slloveni, kanë hyrë nga Serbia, përmes filalit të GEN-I në Beograd – një rrjet tregtie energjetike nga Sllovenia, i shtrirë në tërë rajonin. Berishaj nuk ka folur nëse edhe pjesa e tjetër e të hyrave kanë të njëjtën prejardhje. Lexoni në vazhdim të gjeturat e hulumtimit të Gazetës Online Reporteri.net në lidhje me biznesin e Martin Berishajt.“MB Consulting” është biznesi në Mal të Zi – që deri para më pak se dy jave e mbajti të fshehur – i regjistruar në pronësi të Martin Berishajt, ambasadorit të Kosovës në Kroaci.Biznesin për konsulenca, në Mal të Zi, profesori i shkencave politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, e regjistroi më 12 dhjetor 2016. E, qysh në start rezulton se pati të hyra befasuese në xhirollogaritë e kësaj kompanie.Në vetëm 19 ditë ekzistencë të këtij biznesi në vitin 2016, “MB Consulting” del se pati të hyra gati 100 mijë Euro në xhirollogaritë e saj, tregojnë të gjeturat e hulumtimit të Gazetës Online Reporteri.net, përmes platformës publike që jep të dhënat për të hyrat vjetore të bizneseve në Mal të Zi të cilat deklarohen nga kompanitë e regjistrua në Administratën Tatimore të këtij shteti.