” Ajo, vashëza me fustan të bardhë….në gjirin e Natyrës….!!!”-Nga : Pirro Minella Millona

Shumë vite mban mbi vete, shumë sprova ka kaluar, por e çuditshme përsëri jetën e do si përherë, ashtu të bukur, të larmishme, plot kolorit..

Kjo jetë, fillon me agimin e praruar, kur puth në fillim kreshpat e maleve, me vellon e bardhë të përhershme të borës, pastaj zbret lehtë, lehtë duke përshkuar livadhet e mbushura me lule shumëngjyrëshe, me bukuri marramëndëse.

Zbardh agimi dhe rrezet e diellit forcohen, ngrohin tokën mbarë e shtrijnë vellon e tyre rrezet në flokët e supet si të një vashëse të bukur kur baret me çapin e lehtë drejt djaloshit i cili e pret tek burimi i freskët.

Jeta gjallërohet, qielli në kupën e tij ka kaltersinë e papërshkuar me fjalë, ku jeta fillon me krahët e fluturave dhe bletëve që shëtisin lule më lule të çelura aq bukur për to.

Dhe kështu në atë marëveshjen e heshtur nata largohet ngadalë me nostalgjinë e saj duke ja lënë natyrës që ndriçohet me mijra drita shumëngjyrëshe si ujëvarat e Valbonës së kaltër që vallëzon dorë për dore me natyrën bujare.

Mëngjesi përgatit buqetën e tij me ngjyrat e ylberit dhe ua dhuron si të moshuarve edhe të rinjve për të marrë aromën e luleve të saj.

Dhe jeta vazhdon, gjallërohet si refren kënge të gëzuar, bashkë me të gjallërojnë ëndrrat, dëshirat e panumërta si lumenj të plotë që presin të derdhen në detin e dashurisë.

Dita kalon, ngjyrat ja lënë vëndi njëra tjetrës dhe ja pas ditës plot punë e gjallëri bie muzgu që me kujdes, me hapin e matur, të sigurtë dhe të ngadaltë është zbukuruar me fustanin pranveror të buzembrëmjes.

Është fillimi i ledhatimit të ndjenjave të ëmbëlta duke përgatitur natën magjike për dashurinë pasionante, për atë dehjen nga shpirti i parfurmuar me dashuri.

Hëna e plotë hedh shikimin mbi të bukurën natyrë, nata ka përqafuar mbarë njerëzimin dhe ngadalë zhurma ja lë vëndin heshtjes dhe qetësisë që butë ëmbël tokën e mbulojnë.

Deti ka rënë në qetësi edhe dallga në breg zbutet dhe i bindet, ashtu të përqafuar me shkëmbin, të dy e shijojnë natën e qetë.

Vala përkëledh ëmbël bregun me buzët prush të nxehta që i përvëlojnë, ja zbut, ja njom me dashurinë e vet.

….Befas Ajo shkëputet nga ëndërrimet dhe këlthet aty në breg rrethuar nga valët lozonjare ngrë duart lart të hapura drejt nga qielli:

“E dua Jetën, jam vashëza me fustan të bardhë për djaloshin tim, jam e kaltër në shpirt si qielli plot ngjyra si lulet në lëndinë dhe e bute si bari në fushat e gjëra….

Jetën e dashuroj…….!!!”

Pirro Minella Millona

Tiranë, më 23 Nëntor 2022.