AKADEMIK GAZMEN ZAJMI, PARATHËNIE E PAVARËSISË SË KOSOVËS-Shkruan;Faruk TASHOLLI

     (Fjalë hyrëse nga promovimi i monografisë „Gazmend Zajmi, një jetë për Kosovën“ të Nuhi Bytyçit, mbajtur në Dyseldorf) Nuhi Bytyçi, gazetar me një karrierë gjysmëshekullore, qoftë në gazetrinë e shkruar apo të folur në mediat e shtypura dhe ato vizuele,duke iu afruar kulmit të karrierës aktive, iu qas edhe shkrimit të librave, duke përmbledhur pjesë të historisë së Kosovës brenda qarkut kohor të karrierës së vet. Sot jemi mbledhur këtu në Düsseldorf, pikërisht në hapësirat e një gjigandi ekonomik, si është kompania me renome ndërkombëtare Ecolog e familjes Destani,për të hapur një libër të ri të këtij autori me titullin „Gazmend Zajmi, një jetë për Kosovën“. Si dihet, në historinë mediale, pos të tjersh, gazetaria është një histori e shkruar për ngut në jetën aktuale, e prodhon lajmin dhe ikën duke e lënë faktin pas vetes. Përpara këtij libri, ta quajmë monografik për intelektualin e lartë të Kosovës Gazmend Zajmin, Nuhi Bytyçi realizoi edhe librin voluminoz me titullin „Libri i luftës“, të botuar në vitin 2019, ku përfshihen ngjarje, kronika, personazhe dhe rrjedha“ të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,që çuan drejt sendërtimit të një ëndrre sublime të shqiptarëve, në realizimin e pavarësisë së Republikës së Kosovës,Nëse libri i parë u titullua „Libri i luftës“ me shumë personazhe, libri i dytë, që i referohet një protagonisti, që është Akademik Gazmend Zajmi, lirisht do të mund të quhej „Libri i paraluftës“. E them këtë, sepse rreth këtij emri të përvetshëm, bashkohen shumë emra të tjerë dhe ngjarje të bujshme, që njësinë kombëtare si ishte Kosova në Federatën Jugosllave, e futën në binarët e historisë bashkëkohore si subjektivitet shtetëror me një udhëtim të shkallshkallshëm drejt pavarësisë së plot, Një nga shtyllat e këtij udhëtimi të mençur që paraqet vitalitetin e shqiptarit në Ballkan, ishte edhe Gazmend Zajmi, një intelektual largpamës, më një krijimtari të lartë shkencore dhe me zbatim praktik. Këtë e thotë edhe biografia që kemi përpara, e realizuar nga Nuhi Bytyçi, ku Gazmend Zajmi ishte ajo dora magjike që sillte akrepat e saktë të kohës drejt rrjedhës së pandalshme të historisë, qoftë në themelimin e Universitetit të Prishtinës, qoftë në ngritjen e statusit autonom të Kosovës si njësi e barabartë federale në ish-Jugosllavi me nxjerrjen e Kushtetutës së vitit 1974, por edhe në nxjerrjën e Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut të vitit 1990, të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, e cila juridikisht i hap rrugë Kosovës drejt shkëputjes nga federata jugosllave, si ishin edhe republikat e tjera të atij konstruksioni shtetëror. Me një metodologji praktike dhe përshkruese, si dinë ta bëjnë gazetarët në kohë dhe hapësirë, i prirë edhe nga entuziazmi profesional, Nuhi Bytyçi na e sjell një monografi, që në fakt përmes një personazhi të vënë në spikamë, nxjerr në dritë edhe një pjesë të historisë së Kosovës, aq të rëndë e të mundimshme në një hapësirë të ngushtë tokësore të mbjellur me sakrifica njerëzore që nuk i zë vetë kjo hapësirë nësë përdorim me këtë rast gjuhën poetike. Gjatë gjithë jetës së vet qoftë studentore, qoftë akademike , qoftë arsimore, qoftë shkencore apo kulturore, Gazmend Zajmi jo vetëm që ishte në anën e drejtë të historisë, por ai bëri histori për Kosovën në këto fusha që përmendëm, ani që jeta e tij ishte e shkurtër, pasi fizikisht u shua në moshën 59-vjeçare. Duke lexuar këtë monografi, duke shikuar fotografi të kohës këtu, njerëzit që kanë jetuar në kohën e veprimtarisë së Akademik Gazmend Zajmit, e shohin një panoramë besnike të kohës së kontrasteve të Kosovës, ndërsa ata të mëvonshmit një histori të çuditshme dhe të pabesueshme. Pse e them këtë? E them pasi Kosova në vitet shtatëdhjetë kishte një grusht intelektualësh të lartë dhe një grusht politikanësh që mezi kishin arritur të kryenin shkollën e mësuesisë në Normalen e Elbasanit, derisa vendi dergjej më varfëri të skajshme në një jetë rurale dhe me pasojat e skajshme të analfabetizmit, që kishin prodhuar pushtetet antishqiptare. Ani që veprimi ishte i ngushtuar nga hegjemonizmi serb, vitaliteti shqiptar, edhe pse i paguar shtrenjte në kohë dhe hapësirë, arriti ta drejtojë Kosovën kah popujt e përparuar, falë plejadës që i takoi Gazmend Zajmi. Autori Nuhi Bytyçi, me disiplinën profesionale, me durimin dhe me urtinë njerëzore, arrin të hedh dritë mbi veprimtarinë e një njeriu të përvetshëm, si ishte Akademij Zajmi, duke bashkëpunuar me bashkëkohanikët e tij, duke intervistuar ata, qofshin akademikë të kohës, punëtorë politikë, studentë e gazetarë të vjetër. Në një promovim si ky i sotmi, tregohet vetëm rruga e leximit të historisë së një personaliteti që është edhe histori e Kosovës, ndërsa fjalët mbesin të zbehta, për ta përshkruar gjithë përmbajtjen e librit. Te shtojmë me këtë rast se Akademik Gazmend Zajmim, ishte në krye të Universitetit të Prishtinës në fund të viteve shtatëdhjetë kur po krijohej një brez i ri intelektualësh, kur ky universitet arriti shifrën e mbi 30 mijë studentëve .Ishte koha kur bashkëpunimi me Universitetin e Tiranës kishte lulëzuar dhe ekspertë të atjeshëm shkencorë po ligjëronin në Prishtinë. Ishte koha kur albanalogët, artistët, shkrimtarët dhe ekspertët universitarë të shkencave ekzakte pas punëve të ditës po shëtisnin në shëtitoren e famshme të mbrëmjes në rrugën qendrore të Prishtinës. Ishte koha kur në vitin 1981 shpërthyen demonstratat studentore dhe u shfaq botërisht kërkesa pë Kosovën Republikë. Gazmënd Zajmi, pasi ngjarjet kanë zënë njëra tjetrën, pakkush e din se ishte në anën e kësaj kërkese thelbësore për mbijetesën institucionale të shqiptarit në këto troje. Këtë e shpalon libri i Nuhi Bytyçit detajisht. Por po ashtu, lufta politioke e gjithë jugosllavisë drejtohet kundër Kosovës me gjithë mekanizmat e shtetit federal, duke përfshirë edhe drejtësinë dhe policinë agresive kundër një populli liridashës, natyrisht të nxitur nga estabilishment serb. Kjo luftë, mënjanoi shumë kuadro nga jeta institucionale, qofshin ata politikanë apo akademikë si ishte Gazmend Zajmi, por edhe u hapën burgjet për shqiptarët, ku prej një milion e shtatqindmijë shqiptarëve sa i tregoi regjistrimi i popullsisë në Kosovë në vitin 1981, deri në vitin 1987 mbi shtatëqind mijë njerëz kaluan nëpër zyrat e torturës në duart e policisë së kohës, Duke iu afruar fundit të kësaj fjale, nuk bën pa përmendur figurën shumkëndshe të veprimtarisë së Gazmend Zajmit, që përpos shkencëtar, ideolog dhe veprimtar kombëtar, ai ishte edhe një kompozitor i shkëlqyeshëm ku shkroi tekstet, i komponoi dhe i realizoi mbi 200 këngë të zhanreve të ndryshme të muzikës për fëmijë, të asaj popullore dhe argëtuese që nivelin e kësaj krijimtarie e avancoi krahas kompozitorëve profesionistë në Kosovë, Por ai nuk u ndal vetëm te veprat e shkurtra muzikore si ishin këngët. Bëri edhe baletin „Vallja pranverore“ që ishte vepër e rangut të lartë në fushën e muzikës. Pas vdekjes së Akademik Gazmend Zajmit, kanë ndodhur shumë ngjarje dramatike, si ishte lufta e armatosur e shqiptarëve për çlirim fikzik kombëtar, ku edhe drejtësia ndërkombëtare ishte në anën e shqiptarëve me forcën më të madhe ushtarake të globit si ishte NATO e cila edhe sot e mbron Kosovën. Janë bërë këngë e monografi për shumë personalitete të plitikës dhe të luftës kombëtare. Janë ngritur përmendore që mëpër rrugët e sheshet e Kosovës shpalojnë një histori të bujshme. Brezat e rinj kalojnë rreth atyre përmendoreve duke ditur shumë pak për figurat e skalitura në bronz. Por përmendorja e Gazmend Zajmit në librin „Gazmend Zajmi një jetë për Kosovën“ rrezaton shkëlqim dhe dije dhe mbetet kujtesë e pashlyer në çdo kohë. Duke falënderuar për këtë vepër madhore, në fund të kësaj rezymeje, autorit Nuhi Bytyçit i dëshirojmë shëndet dhe sukses në projekte të radhës, Faruk Tasholli Düsseldorf, 24.02.2024/www.QendraPress.com/