AKB-ja kundër detyrimit të kompanive që të furnizohen nga tregu i hapur i energjisë deri pesëfish më shtrenjtë se nga KEK-u

Aleanca Kosovare e Bizneseve shprehu shqetësim të thellë lidhur me vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), që detyron bizneset me mbi 50 punëtorë dhe me mbi 10 milionë euro qarkullim vjetor të furnizohen nga tregu i hapur i energjisë, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, në konferencë për media, tha se janë kundër detyrimit të kompanive që të furnizohen nga tregu i hapur i energjisë deri pesëfish më shtrenjtë sesa nga KEK-u.
“Aleanca Kosovare e Bizneseve shpreh shqetësimin e vet të thellë në lidhje me vendimin e fundit të ZRrE-së, i cila drejtpërdrejt i ngarkon bizneset tona me tarifa të ndryshme. Problem thelbësor është që vendimi i ZRrE-së do të sjellë pasoja. Rritja e çmimit të energjisë elektrike 16.1 për qind është një rritje e madhe. Detyrimi i kompanive mbi 50 punëtorë dhe mbi 10 milionë euro qarkullim vjetor që të furnizohet nga tregu i hapur i energjisë elektrike do të jetë me çmim tre deri në pesë herë më të shtrenjtë sesa këto biznese mund ta blejnë nga KEK-u. Kjo situatë është e papranueshme, sepse cenon konkurrencën, rrit ndjeshëm koston për biznese, krijon pabarazi dhe diskriminim ekonomik. Kërkesa jonë është rishikimi i menjëhershëm i vendimit për kalimin e detyrueshëm të bizneseve nga tregu aktual në tregun e hapur dhe sipas nesh kjo është e padrejtë”, tha Shahini.
Edhe përfaqësuesja e kompanisë “Eurometal” kërkoi pezullim të menjëhershëm të vendimit për treg të hapur të energjisë , duke e cilësuar si të gabuar dhe të dëmshëm për prodhuesit.
“Ideja e liberalizimit të energjisë është që mos të krijohet monopol dhe të ketë kushte më të favorshme për bizneset, sidomos për prodhuesit. Mirëpo, liberalizimi i energjisë në Kosovë, ne si biznese na dëmton jashtëzakonisht shumë. Ne si kompani kemi kontrata katër deri në pesë vjet, që i bie ne nuk e dimë se si do të funksionojmë pas 1 qershorit. Kushtet që i kanë bërë: numri i punëtorëve dhe qarkullimi është vetëm dhënie hapësire disa kompanive për manipulim”, tha përfaqësuesja e “Eurometalit”.
Ndërsa, biznesmeni Naim Dedushaj nga Rrjeti i bizneseve të diasporës shqiptare kërkoi që të merren parasysh ndryshimet globale dhe të ndihmohen bizneset për të mbetur konkurrentë.
“Kush e ka marrë këtë vendim për këtë çështje? Situata globale tashmë ka ndryshuar, sidomos me ardhjen e presidentit të ri të ShBA-së. Duhet që para se të merret vendim të ndihmohen bizneset, që edhe këta të jenë konkurrentë. Tarifa e energjisë është rritur shumë dhe tani jemi në pikëpyetje. Kompanitë lëvizin nga Kosova dhe vendosen në rajon. T’i dëgjojmë këto zëra, t’i shqyrtojmë këto çështje”, tha Dedushaj.