AKP thotë se Kosova ka 35 prona në Mal të Zi, kërkohet kthimi i tyre
Një pronë në bregdetin Adriatik me mbi 4.5 mijë metra katrorë, është bërë mollë sherri ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Malit të Zi.
Autoritetet malazeze thonë se Ministria e Drejtësisë e Kosovës ka paditur Malin e Zi, përkatësisht Komunën e Budvës dhe kompaninë “Sunraf Beach Properties d.o.o.” nga Podgorica, duke kërkuar kthimin e së drejtës së pronësisë në mbi 4.5 mijë metra katrorë tokë në qytezën Rafailloviq.
Bëhet fjalë për parcela në shëtitoren përgjatë plazhit të Beçiqit, ku dikur ndodhej një vend-pushimore për fëmijët.
Avokati i Përgjithshëm i Shtetit të Kosovës, Sami Istrefi, thotë se Kosova synon kthimin e pronës të blerë gjashtë dekada më parë.
“Duke u gjendur para këtyre rrethanave, konform legjislacionit të Malit të Zi, ne kemi ushtruar një padi për vërtetim pronësie dhe masë sigurie për atë pronë, për shkak se Kosova tash e sa vite nuk është duke e shfrytëzuar, mbase juridikisht është pronë e Kosovës, që e dëshmojnë edhe dokumentet kadastrale atje”, thotë Istrefi.
Istrefi, i cili ka për detyrë të mbrojë interesin e Kosovës kur ka konteste brenda dhe jashtë shtetit, thotë se nuk ka asnjë problem politik ndërmjet shteteve dhe se kjo është vetëm një procedurë civile.
“Kosova në asnjë formë, e aq më pak Ministria e Drejtësisë apo Avokatura e Shtetit, nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim ndaj shtetit të Malit të Zi, për ndonjë procedurë apo veprim qeveritar që mund të ketë ndikime të dy shtetet. Kjo është krejt e kundërta e asaj, për shkak se kjo është një procedurë civile”, shton ai për Radion Evropa e Lirë.