Aksident i rëndë në autostradën “Ibrahim Rugova”, një i vdekur e dy të lënduar
Një person ka mbetur i vdekur e dy të tjerë janë lënduar si pasojë e një aksidenti të rëndë që ka ndodhur pasditen e sotme në autostradën “Ibrahim Rugova”, drejtimi Prishtinë-Prizren.Këtë e ka konfirmuar për “Zërin”, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.“Sot rreth orës 16:10, Policia e Kosovës ka pranuar informatën lidhur me një aksident trafiku në autostradë. Pas angazhimeve teren është konstatuar se në kilometrin e 10 të Autostradës “Ibrahim Rugova”, drejtimi Prishtine-Prizren, në Vërmicë është shkaktuar një aksident trafiku me lëndime trupore dhe me fatalitet. Njësitet kompetente policore iu kanë përgjigjur rastit, përderisa ekipi mjekësor ka konstatuar se një person ka humbur jetën. Dy persona të tjerë po ashtu si pasojë e aksidentit kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor në Prizren. Në vendin e ngjarjes kanë dalë Njësiti i hetimeve, zjarrfikësit si dhe autoambulanca, për rastin gjithashtu është njoftuar edhe Prokurori e Mjekësia Ligjore””, ka deklaruar Hoxha.Hoxha ka thënë se janë duke u kryer hetime për shkaqet që kanë çuar deri te ky aksident, përderisa iu ka bërë thirrje ngasësve të veturave që të kenë kujdes.“Hetime aktive janë duke u kryer për shkaqet që kanë çuar deri te ky aksident i rëndë dhe me pasoja tragjike. Apelojmë tek drejtuesit e automjeteve që të jenë të kujdesshëm, të respektojnë shenjat dhe kufizimet e shpejtësisë, posaçërisht në kohë të ndryshimeve atmosferike dhe reshjeve për të shmangur rastet të tilla të aksidenteve me pasoja fatale”, ka deklaruar Hoxha. /Zëri