Aksion i Policisë në qendrat e masazheve – arrestohen gjashtë persona dhe mbyllen 14 lokale

                       Drejtoria për  Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore (DHTQNj) ka bërë të ditur se ka hartuar planin operativ i cili me datë 15 dhe 16 mars 2022 është zbatuar duke realizuar kontrolle në qendra të ndryshme të masazheve.Siç njoftohet, hetuesit policorë nga DHTQNj këtë plan e kanë realizuar në bashkëpunim me inspektorë të MTI-së dhe me ATK-në.Gjatë realizimit të operacionit janë kontrolluar/inspektuar 57 (pesëdhjetë e shtatë) qendra masazhi.Po ashtu janë iniciuar dy raste për përfshirje të të dyshuarve në veprat  penale ‘mundësim apo detyrim në prostitucion’  dhe  ‘ofrim i lokaleve për prostitucion’.Lidhur me këtë janë arrestuar gjashtë të dyshuar, prej tyre dy janë dërguar në mbajtje deri në 48 orë me aktvendim të prokurorit.Nga inspektorët kompetentë janë mbyllur 14 lokale dhe janë shqiptuar gjoba për parregullsitë e evidentuara.Gjatë realizimit të operacionit policor janë legjitimuar 107 (njëqind e shtatë) persona (96 femra, dy të mitura dhe 11 meshkuj). Nga personat e legjitimuar, me shtetësi të huaj janë hasur 19 (nëntëmbëdhjetë) nga Shqipëria, 4 (katër) nga Tajlanda dhe 1 (një) nga Rumania. Shtetaset e huaja në mungese të paraqitjes së lejes së qëndrimit janë trajtuar nga Drejtoria  për  Migrim dhe Huaj e PK-së./Telegrafi/