Aksioni i koduar “Pika” çoi në arrestimin e 50 zyrtarëve – Si nisi puna hetimore
Dita e sotme nisi me një aksion policor. Aksioni i koduar ishte “Pika”. Në këtë aksion të Inspektoratit Policor të Kosovës, që është kryer me urdhër të Prokurorisë Speciale, u arrestuan 48 policë dhe dy zyrtarë doganorë, transmeton Reporteri.net.Të arrestuarit dyshohen për veprat penale: “marrja e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.Pas arrestimeve, u mbajt edhe një konferencë për media ku u shpalosën detaje.Kryeshefi i Inspektoratit të Policisë së Kosovës, Kushtrim Hodaj, tha se të arrestuarit dyshohet se kanë marrë pjesë në qindra aktivitete të marrjes së ryshfetit në pikat kufitare të Qafë Prushit dhe Qafë Morinës, që lidhin Kosovën dhe Shqipërinë.“Nga hetimet, dyshohet se të arrestuarit janë të përfshirë qindra herë apo në mbi 400 veprimtari kriminale të marrjes së ryshfetit dhe keqpërdorim të detyrës zyrtar”, tha Hodaj gjatë një konference për media pas përfundimit të aksionit të koduar “Pika”, që u nisi mëngjesin e 14 marsit në Gjakovë dhe Prizren.Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, tha se prej majit të vitit të kaluar kanë filluar hetimet për këtë rast, pasi kanë marrë informacionet e para për dyshimet për përfshirjen e policëve dhe doganierëve në veprimtari kriminale.“Lidhur me aksionin që është ndërmarrë sot nga Prokuroria Speciale e Kosovës dhe Inspektorati Policor i Kosovës ju njoftojmë se pas një periudhe hetimore të gjatë rreth 1 vjeçare, faktikisht nga muaji maj kemi filluar me hetimin e këtij rasti në bashkëpunim me IPK-në. Me urdhër të kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale kemi angazhuar dy prokurorë për këtë rast. Gjatë fazës së hetimeve kemi përdorur shumë mjete të hetimit dhe vëzhgimit të fshehtë për të siguruar prova të mjaftueshme se po kryhen vepra penale të marrjes së ryshfetit në pika doganore”, tha Lumezi, transmeton Reporteri.net.Ai tha se hetimet janë zhvilluar ndaj 68 personave.“Sot jemi njoftuar se janë arrestuar 50 zyrtarë shtetërorë, 48 nga Policia e Kosovë dhe dy nga shërbimi doganor i Kosovës. Ndërsa, për personat e tjerë ndaj të cilëve është nxjerrë aktvendimi për fillimin e hetimeve janë në arrati, disa edhe nuk janë shtetas të Kosovës. Por, në këtë drejtim jemi duke bashkëpunuar edhe me autoritetet e Republikës së Shqipërisë për të siguruar informacione dhe prova, që do të na shërbejnë për procedurë penale edhe në Kosovë dhe Shqipëri”, tha ai.Komandanti i policisë kufitare në pikën Qafë Morinë, Ramiz Ahmeti dhe ai i pikës kufitare në Qafë Prush, Xhavit Lokaj, ishin dy prej të arrestuarve sot gjatë aksionit kundër ryshfetit, të njohur si “Pika”.Në mesin e të arrestuarve, sipas IPK-së janë dy togerë policorë, pesë reshterë dhe dy zyrtarë doganorë. Inspektorati bëri të ditur se të dyshuarit janë në ndalim prej 48 orësh dhe është rekomanduar që policët të suspendohen nga puna.Ky operacion i IPK-së, sipas autoriteteve, është përkrahur edhe nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës./Reporteri.net