Aktakuzë ndaj pronarit të “Shell Kosova”, sulmoi fizikisht gazetarin
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj pronarit të “Shell Kosova”, Lulzim Kryeziu, pasi që i njëjti e ka sulmuar fizikisht gazetarin Fitim Çeku. “Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit L.K., pasi i njëjti, më 28.09.2020, në Veternik, konkretisht në pompën e derivateve “Shell”, pas një fjalosje me të dëmtuarin-gazetarin F.Ç., lidhur me një hulumtim për licencën e kompanisë, i pandehuri me dashje që t’i shkaktojë lëndime trupore të dëmtuarit e ka sulmuar fizikisht, me çka i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore”. “Andaj aktakuza është proceduar në gjykatën kompetente për trajtim të mëtejmë, në drejtim të veprës penale “Lëndimi i lehtë trupor”, nga neni 185 të KPRK-së”, ka njoftuar Prokuroria e Shtetit.Lulzim Kryeziu është djali i biznesmenit të ndjerë, Latif Kryeziu.