Alarmante: Shtrenjtohet buka deri në 50 centë, qytetarët thonë se nuk po mund ta përballojnë
Mëngjesin e së hënës qytetarët në disa lagje të Prishtinës, por edhe në qytete të tjera të vendit, përfshirë Pejën, kanë paguar 50 centë për gjysmë kilogrami bukë. Po ashtu, në këto vende janë shtrenjtuar edhe produktet e tjera të miellit, si byreku që nga 0.80 centë tashmë është 1 euro.Ngritja e çmimeve të bukës dhe produkteve të miellit përreth 40 përqind po konsiderohet nga qytetarët si alarmante, për të cilën situatë kërkuan nga Qeveria e Kosovës që të reagojë duke ndërmarrë masa.Furrtarët, prapa kamerës, e kanë arsyetuar shtrenjtimin e bukës dhe byrekut me rritjen e çmimit të miellit nga 30 në 45 euro për 100 kilogramë miell. Në anën tjetër, deri sot nuk ka pasur asnjë reagim institucional në lidhje me këtë çështje.Në Shoqatën e Mullisëve të Kosovës, shprehen se ngritja e çmimit të miellit është ndikuar ai në bursën ndërkombëtare.Qytetari Sadik Përvetica ka thënë se sot në rrugën “Muharrem Fejza” në Prishtinë e blu bukën 50 centë, 10 centë më shtrenjtë se disa ditë më parë. Rritjen e çmimit ai e quajti si alarmante.“Besoj që për një pjesë të madhe është e papërballueshme. Jo vetëm buka, por edhe artikuj të tjerë të domosdoshëm ushqimorë janë ngritur edhe është gjendje alarmante për Qeverinë e Kosovës. Qeveria duhet me marrë masa në këtë drejtim në mënyrë që të përmirësohet jetën e qytetarëve. Kam blerë sot, në këtë regjion këtu është 50 centë çmimi i bukës. Edhe produktet e tjera, vaji, sheqeri, të gjitha janë ngritur shumë. Përkundër kësaj, rrogat, pensionet, (se unë) jam në pension, nuk janë rritur. Kjo është më alarmante”, shprehet Përvetica.Edhe Refik Qovani ka thënë se shtrenjtimi i bukës është i papërballueshëm për kategoritë sociale dhe pensionistët.“Për dikë-dikë është shumë, pensionistët nuk mund ta përballojnë… Normalisht duhet me qenë 30 centë. Sot bleva bukën 0.50 centë”, tha ai.Ndërsa, Bashkim Zejnullahu, kryetar i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës ka thënë për KosovaPress se ngritja e çmimit të grurit ka ndikuar në shtrenjtimin e miellit.Kjo ngritje, ai tha se ndikon drejtpërdrejt në shtrenjtimin e bukës dhe produkteve të miellit.“Sot flasim për një çmim të miellit në tregun e Kosovës tek furrtarët tanë prej 400 deri 450 euro për një tonë me miell. Çmimi është 45 euro për 100 kilogramë miell. Kërkesa e grurit realisht e përcakton edhe çmimin, ndërsa mungesa e sasive në tregjet botërore ka ndikuar të ngritën çmimet botërore, që ndikon drejtpërdrejt edhe në tregun tonë sigurisht. Nëse bëjmë krahasim prej vitit të kaluar me çmimin e miellit që ka qenë në treg prej 300-350 euro për tonë, sivjet kemi një ngritje ose çmimin aktual prej 400-450, që i bie një ngritje e çmimit prej 30 deri 40 përqind”, thotë ai.Megjithatë, Zejnullahu ka thënë se mullisët kanë miell të mjaftueshëm edhe për tre katër muaj. “Nuk mund të themi se kemi një sasi të madhe depot e mullisëve, por mendoj se kemi sasi të mjaftueshme për tre-katër muajt e ardhshëm”, thekson Zejnullahu.Sipas kreut të shoqatës së mullisëve, Kosova, këtë vit ka arrit rendimentin e prodhimit të grurit 30 deri 40% më së shumti. Ky prodhim i pamjaftueshëm për kërkesat e qytetarëve, detyron prodhuesit e miellit të importojnë grurë./KP