Aliu, pas takimit me Kurtin: I thamë se nuk jemi opozitë jemi partnerë

                            Kryetari i komunës së Ferizajt njëherit edhe kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu ka folur pas takimit që u zhvillua mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarëve të komunave.Aliu tha se Kurti nuk e ka vizituar asnjëherë Ferizajn që kur erdhi në pushtet për herë të parë.“Kryeministri ka pasur një vizitë në Ferizaj vetëm gjatë Qeverisë Kurti 1”, tha Aliu në T7, përcjell Reporteri.net. Sipas kryetarit të Asociacionit të Komunave të Kosovës, Kurti ka pasur pak vizita edhe në komuna të tjera.“Duam që ai të vijë dhe ta zhvillojmë një diskutim cilësor”, tha ai. “Duhet të bashkëpunojmë në interes të qytetarëve”.Aliu tregoi se i kanë thënë shefit të Qeverisë se s’janë opozitë e tij.“Ne ia kemi thënë që s’kemi qenë opozitë e asnjë qeverie sepse nuk na takon të jemi opozitë e askujt. Ne jemi kërkues, sepse kemi shumë projekte që dëshirojmë t’i zhvillojmë”, tha Aliu.“Komunat e Republikës së Kosovës kanë qenë, janë dhe do të mbeten gjithmonë partnere të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, tha kryetari i Ferizajt./Reporteri.net./