Ambasada e Francës flet rreth deklaratës së Macronit për vizat.
Deklarata e Presidentit të Francës, Emmanuel Macron lidhur me pezullimin e mundshëm të liberalizimit të vizave për Kosovën, ka ngjallur reagime dhe paqartësi në Kosovë, shkruan Reporteri.net.Nga Ambasada e Francës në Kosovë kanë thënë për Gazetën Online Reporteri.net se po presin “zbardhjen” e deklaratës së Macronit.Nexhmi Musliu, zyrtar për media pranë ambasadës franceze në Kosovë tha se po presin sqarime që të saktësohet gjithçka nga ana e përkthimit.“Po presim sqarime të saktësohet gjithçka nga ana e përkthimit, e nëse del ashtu ajo është deklarata autentike e Presidentit të Francës dhe ne nuk e komentojmë”, tha Musliu për Reporteri.net.Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, gjatë qëndrimit në Tiranë ka ripërsëritur deklaratën për rishikimin e procesit të vizave për Kosovën.“Presim nga autoritetet serbe e kosovare për riorganizim të zgjedhjeve, pjesëmarrjen e serbëve në këto zgjedhje, njohjen e asociacionit plotësisht dhe totalisht. Pres që Vuçiqi të jetë përgjegjës dhe pres të njëjtën gjë nga presidentja dhe kryeministri kosovar. E them me qartësi ju kemi besuar për vizat, çështja është pezulluar nga ana e Francës sepse ka të bëjë me respekt për fjalën e dhënë dhe fjala nuk po mbahet. Pres që palët të ecin përpara dhe është kushti i paqes në të gjithë zonën”, ka thënë sot Macroni.Agjencia franceze e lajmeve, AFP, lidhur me deklaratën e Macronit në Tiranë për vizat, tha se me këtë “ai e ka kërcënuar Kosovën me zhbërjen e vendimit të vizave”.Vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2024.Macron foli për vizat në Tiranë duke e ndërlidhur situatën politike mes Kosovës dhe Serbisë.Gjatë konferencës për media në Shqipëri, ai tha se ka ndjekur rritjen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë dhe kërkoi që të dyja palët të ndërmarrin hapa për të shtensionuar situatën.Kosova – sikurse edhe vendet e tjera që gëzojnë lëvizje të lirë – do të jetë nën llupën e BE-së. Blloku ka mekanizma ndëshkues nëse vëren që qytetarët e një vendi joanëtar keqpërdorin lëvizjen pa viza. Më 16 maj, Komisioni Evropian tha se Serbia po e rrezikon këtë regjim, për shkak të lehtësimit të procedurave për dhënien e shtetësisë të të huajve. Vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën është marrë tashmë në instancat më të larta të BE-së, por pritet të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit të ardhshëm./Reporteri.net/