Ankesat e partive politike nuk e shtyjnë datën e zgjedhjeve
Deri të martën do të duhet të marrin epilog ankesat e subjekteve politike dhe kandidatëve që janë ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Nëntë apele nga subjekte politike e kandidatë, u dorëzuan më 23 janar, pas mos certifikimit nga Komisioni Qendror Zgjedhor në mbledhjen e 22 janarit, për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë.
“PZAP-ja në afat prej 72 orëve prej momentit të pranimit të këtyre apeleve ka për obligim dhe do t’i shqyrtojë dhe vendos për to”, tha për Radion Evropa e Lirë, kryesuesi i sekretariatit të PZAP-së, Mul Desku.
Por, ky institucion i pavarur, mund të vendosë edhe më herët në apelet që janë dorëzuar brenda afatit ligjor.
“PZAP-ja do të angazhohet me gjithë kapacitetin për t’i kryer sa më shpejt që është e mundur edhe para skadimit të afatit prej 72 orëve. Vendimet mund të merren në të njëjtën ditë apo edhe në ditë të ndryshme para skadimit të afatit prej 72 orëve”, sqaroi Desku.
Si merren vendimet në PZAP?
Bazuar në ligjin në fuqi, PZAP-ja përbëhet nga dhjetë anëtarë, përfshirë kryesuesin, i cili vjen nga radha e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme të Kosovës dhe anëtarët e tjerë që vijnë nga radha e gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit dhe Gjykatave Themelore të Kosovës.
PZAP-ja mund të mblidhet në seanca të ndara me nga së paku tre anëtarë, por për çështje të rëndësisë së veçantë, kryesuesi i PZAP-së mund të krijojë një panel që do të përbëhej nga nëntë anëtarë të këtij institucioni. Aty, vendimet merren me shumicë votash.
Në ligj është e specifikuar qartë se vendimet e PZAP-së janë të detyrueshme për KQZ-në.
Aktualisht, kryesues i PZAP-së është Shukri Sylejmani.
Çfarë vendimesh mund të priten?
Albert Krasniqi nga organizata ‘Demokraci Plus’, thotë për Radion Evropa e Lirë, se është hipotetike të dihet saktë se çfarë do të vendosë ky institucion i pavarur, por ai pret që do të aprovohen pjesërisht ankesat e subjekteve dhe kandidatëve.