Apel i IKSHPK-së: Po përhapen dy variante të Omicronit
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës u ka bërë apel qytetarëve që të vaksinohen dhe të bartin maskat. Instituti ka thënë se dy variante të Omicronit (BA.1 dhe BA.2) po vazhdojnë të përhapen dhe po ka pasoja të rënda për shëndetin e qytetarëve e po ashtu raste fataliteti.“Virusi është kudo andaj mos neglizhoni rekomandimet themelore: maska, distanca, higjiena. Shmangni udhëtimet e panevojshme, qëndroni në shtëpi dhe ajrosni ambientet e mbyllura. IKSHPK është duke vazhduar pandërprerë me testimin dhe gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik andaj të gjithë personat me kokëdhembje, kollitje, dhembje fyti, vështirësi në frymëmarrje, rrjedhje hundësh, temperaturë, plogështi, humbje e shijes, rekomandohen të testohen. Situata epidemiologjike akoma është e rëndë, e javët e fundit me rritje të rasteve në Evropë dhe në botë, andaj IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët që të respektohen masat e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Na ndihmoni që të ju ndihmojmë!”, thotë IKSHPK.